Gjykimi për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari: Dorën në zemër e kanë lavdu shumica

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së enjtes në gjykimin për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari Fadil Avdyli tha se të akuzuarin ia kanë lavduar shumica e personave kur ka punuar në Policinë e Kosovës. Në këtë seancë, përveç Avdylit, në cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtjes para trupit gjykues dëshmuan edhe Gordana

Nëntor 6, 2025 - 16:30
 0
Gjykimi për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari: Dorën në zemër e kanë lavdu shumica
Gjykimi për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari: Dorën në zemër e kanë lavdu shumica

Gjykimi për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari: Dorën në zemër e kanë lavdu shumica

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së enjtes në gjykimin për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, dëshmitari Fadil Avdyli tha se të akuzuarin ia kanë lavduar shumica e personave kur ka punuar në Policinë e Kosovës.

Në këtë seancë, përveç Avdylit, në cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtjes para trupit gjykues dëshmuan edhe Gordana Trajkoviq dhe Dragana Pantiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, u dëgjua dëshmitari Avdyli, ish-mbikëqyrës i të akuzuarit Trajkoviq kur ky i fundit punonte si polic i Republikës së Kosovës në Mitrovicë. Ai deklaroi se të akuzuarin e kishte pjesë të ekipit të tij, ku ai ishte mbikëqyrës dhe sipas tij, Trajkoviq ishte polic i mirë dhe nuk kishin probleme me të.

“Po ashtu, me sa më kujtohet kanë qenë një apo dy raste ku unë kam qenë prezent që iu kanë falenderu njerëzit që iu ka ndihmu gjatë luftës, por edhe në punë policore”, tha Avdyli.

Dëshmitari Avdyli deklaroi se me të akuzuarin Trajkoviq nuk kishte probleme për kohë sa ishte mbikëqyrës i tij.

“Unë kam qenë mbikëqyres i tij diku 4 vite e gjysmë, ka qenë polic i mirë, i ka kry detyrat policore mirë. Diçka më kujtohet, diçka jo, por dorën në zemër- Sladanin e kanë livdu shumica që kam pas kontakt me ta, tash ndoshta nuk më kujtohen specifikat”, tha Avdyli.

Ndërkaq, Gordana Trajkoviq- fqinja e Trajkoviq, tha se jetonte në fshatin Novolan të Komunës së Vushtrisë dhe i njihte të gjithë banorët aty.

E pyetur nga prokurorja speciale Florie Salihu-Shamolli nëse kishte dëgjuar se forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z., dhe vrasjet në familjen Ujkani, dëshmitarja e mohoi të ketë dëgjuar.

“Asnjëherë. Jo, nuk kam dëgjuar”, tha dëshmitarja Trajkoviq.

Kurse, Dragana Pantivq deklaroi se gjatë luftës kishte qëndruar tek bodrumi i fqinjëve dhe se aty ishte edhe i akuzuari Trajkoviq me familjen e tij.

“Aty ka qenë edhe Sladani, bashkëshortja e tij, fëmijët dhe motra e bashkëshortes së tij- me të cilën njihem dhe si vajza jemi shoqëruar”, tha dëshmitarja Pantiq.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.