Gjysmëvjetori i dytë filloi me mungesë të librave për shumë nxënës në Tetovë
Edhe gjysmëvjetori i dytë për shumë nxënës të shkollave në Tetovë filloi me mungesën e shumë librave. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve, librat që mungojnë nuk janë shpërndarë ende te nxënësit, shkruan Portalb.mk. Edhe pse u paralajmërua që në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit në shkollat e Tetovës do t’i marrin librat të cilët u mungojnë, kjo […]
Edhe gjysmëvjetori i dytë për shumë nxënës të shkollave në Tetovë filloi me mungesën e shumë librave. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve, librat që mungojnë nuk janë shpërndarë ende te nxënësit, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse u paralajmërua që në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit në shkollat e Tetovës do t’i marrin librat të cilët u mungojnë, kjo nuk ndodhi sot, në ditën kur nxënësit iu rikthyen bankave.
Nxënësve vazhdojnë të ju mungojnë mijëra libra.
Këtë na e konfirmoi edhe drejtoresha e shkollës fillore Kirili dhe Metodi Sihana Kaba Kasami.
“Gjysmëvjetori i dytë filloi sipas parashikimeve, sa për librat nuk ka asgjë. Situata është e njëjtë prej se e përfunduam gjysmëvjetorin e parë”, tha Kaba Kasami.
Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës na thanë se një pjesë e librave do të shpërndahen deri në fund të javës.
“Një pjesë e librave do merren deri në fund të javës, ndërsa librat e gjuhëve mungojnë. Brenda javës do të keni informata konkrete. Sa t’i marrim këto libra prej ministrisë”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Deri në publikimin e këtij shkrimi Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske për këtë problem.
Për mungesën e librave nëpër shkollat e Tetovës ministrja e Arsimit Vesna Janevska paraprakisht i pati fajësuar drejtorët e shkollave se nuk i kanë raportuar librat e dëmtuar dhe tha se për këtë arsye kanë ngecur me planifikimin e tyre.
Edhe nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk patën konfirmuar se është e vërtetë që drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë kërkuar kompensim nga prindërit për tekstet e dëmtuara shkollore.
Mungesa e furnizimit me libra në fillim të vitit shkollor shtyu prindërit të fotokopjojnë të njëjtat, që u shkaktoi barrë shtesë në xhepat e tyre. Nxënësit e shkollave fillore që në shtator 2024 u ankuan për Portalb.mk se u mungojnë libra nga lëndët më të ndryshme.
Problemi me librat nuk është duke u zgjidhur me vite të tëra. Në të kaluarën në Tetovë ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.
- LEXO: Komuna e Tetovës paralajmëroi se nxënësit pritet të pajisen me librat që u mungojnë në gjysmëvjetorin e dytë, MASH-i thotë se ende nuk ka vendim
- LEXO: Ka dy muaj që nxënësve në Tetovë iu mungojnë mijëra libra, Janevska fajëson drejtorët
- LEXO: Tetovë, mungesa e librave ua vështirëson procesin arsimor nxënësve, prindërit detyrohen të harxhojnë para (Video)