Gruda për ligjëratat e Speciales: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkollat tona, e papranueshme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media, tha se janë të shqetësuar lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj. Sipas Grudës, incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media, tha se janë të shqetësuar lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.
Sipas Grudës, incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.
“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda.
Ai paralajmëroi se “lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore”.
“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.
Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.
Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.
“Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë. PDK kërkon sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike”.
“Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional”, tha Gruda.
Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale.
Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim. PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, përfundoi Gruda.
