Hana Selmani nga Shkupi, krijuesja e programit për zbulimin e depresionin përmes Intelegjencës Artificiale
Zbulimi i shenjave të depresionit në të ardhmen mund të bëhet më i lehtë dhe me kosto shumë të ulët nëse do të vihet në zbatim publikimi shkencor: “Përdorimi i Intelegjencës Artificiale (IA) për detektimin e depresionit bazuar në mikrobiomën e zorrëve” i programeres së re nga Shkupi, Hana Selmani, publikuar në platformën “Journal Springer […]

Zbulimi i shenjave të depresionit në të ardhmen mund të bëhet më i lehtë dhe me kosto shumë të ulët nëse do të vihet në zbatim publikimi shkencor: “Përdorimi i Intelegjencës Artificiale (IA) për detektimin e depresionit bazuar në mikrobiomën e zorrëve” i programeres së re nga Shkupi, Hana Selmani, publikuar në platformën “Journal Springer Nature”.
23 vjeçarja e talentuar i ka thënë Gazetës LAJM, se ka punuar për më shumë se dy vite në New York University Abu Dhabi, për të krijuar një vegël përmes IA-së, që do ta aftësonte kompjuterin për të zbuluar shenjat e çrregullimit depresiv mbi të dhënat e mikrobiomës së zorrëve.
“Bëhet fjalë për një kontribut të madh në shkencë sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që krijohet një vegël e thjeshtë dhe më lehtë e qasshme për të gjithë ata që kanë nevojë për të kontrolluar, nëse kanë probleme me depresionin. Unë përmes Intelegjencës Artificiale kam arritur të krijojë një vegël që e aftëson kompjuterin për të detektuar shenjat e depresionit”, tha Hana Selmani për gazetën LAJM.
Ajo sqaroi se janë bërë eksperimentet e para me veglën e krijuar dhe rezultatet kanë qenë shumë premtuese.
“Nga një laborator kemi marrë mikrobe nga 90 persona dhe kompjuteri përmes algoritmeve nga vegla e krijuar ka arritur t’i detektojë personat me shenja depresioni dhe ata që nuk kanë simptoma të tilla. Megjithatë, kjo është një vegël që ende duhet të zhvillohet për të qenë e gatshme për përdorim, ndërsa do të shërbejë vetëm për identifikimin e shenjave, kurse diagnozën finale e jep psikiatri”, tha Hana.
Publikimi i saj shkencor është i rrallë edhe për faktin se i njëjti është bërë nga një programere e sapodiplomuar.
“Rrallë ndodh që në një moshë aq të re të bëhën publikime shkencore, prandaj dua të them se jam mirënjohëse edhe ndaj profesoreshës palestineze Mai Oudah, e cila më ka mbikqyrur gjatë procesit të studimit projektin tim”, u shpreh Hana.
Pas diplomimit në New York University në Abu Dhabi, 23 vjeçarja e talentuar shqiptare planifikon t’i vazhdojnë studimet e magjistraturës në Londër.
“Synimi im është ta ndihmojë shoqërinë përmes punës time shkencore. Do të mbetem e përkushtuar që me krijimet e mia të kontribuoj në medicinë dhe në shëndetin e njerëzve”, tha studiuesja e re, Hana Selmani, për gazetës LAJM.