Shekerinska: NATO vazhdon të forcohet, nuk ka njoftim për tërheqjen e forcave amerikane nga Kosova
Zv. sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska tha se nuk beson që ushtria amerikane do të tërhiqet nga Kosova, duke theksuar se NATO vazhdon të forcojë praninë dhe bashkëpunimin e saj në rajon, përcjell Telegrafi Maqedoni. Sipas saj, të gjithë aleatët duhet të kontribuojnë më shumë dhe kjo reflektohet në aktivitetet aktuale të Aleancës. […]

Zv. sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska tha se nuk beson që ushtria amerikane do të tërhiqet nga Kosova, duke theksuar se NATO vazhdon të forcojë praninë dhe bashkëpunimin e saj në rajon, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas saj, të gjithë aleatët duhet të kontribuojnë më shumë dhe kjo reflektohet në aktivitetet aktuale të Aleancës.
“Ne besojmë se kjo çon në një Aleancë edhe më të fortë, e cila mbetet një shtyllë e mbrojtjes kolektive. Dhe sigurisht, bashkëpunimi me BE-në për këtë çështje do të vazhdojë”, tha ajo pa iu përgjigjur saktësisht pyetjes se çfarë mendon për formimin e ushtrisë së Bashkimit Evropian, e cila është njoftuar prej vitesh.
Shekerinska theksoi se KFOR-i, i cili udhëhiqet nga një aleat evropian, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.
Ajo shtoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s është rezultat i luftës në Ukrainë dhe presionit nga Uashingtoni për një shpërndarje më të drejtë të kostove midis Evropës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përveç kësaj, ajo komentoi mbi marrëveshjen ushtarake të nënshkruar nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, duke vënë në dukje se kjo nuk është asgjë e pazakontë dhe se çdo vend ka të drejtën sovrane për të lidhur marrëveshje me vendet e tjera.
Ajo riafirmoi përpjekjet e NATO-s për të investuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunimin me vende të tilla si Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.