Kelmendi e Sutaj flasin për administrim efikas të pasurive të sekuestruara
U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar një takim pune me Alban Sutaj, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK). Në takim mori pjesë edhe Bahri Hyseni, udhëheqës i Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas njoftimit


U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar një takim pune me Alban Sutaj, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK). Në takim mori pjesë edhe Bahri Hyseni, udhëheqës i Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas njoftimit, ky takim kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për një administrim më efikas dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me theks te veçantë në parashtrimin e kërkesave në gjykatë për shitjen e pasurive të sekuestruara, me qëllim ruajtjen e vlerës së tyre dhe rritjen e koordinimit ndërinstitucional për një menaxhim sa më efektiv të këtyre pasurive.
“Gjatë takimit, u ritheksua rëndësia e një qasjeje të bashkërenduar dhe profesionale në funksion të sundimit të ligjit, duke garantuar në të njëjtën kohë integritetin dhe vlerën e pasurisë së sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Shtetit dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar theksuan përkushtimin e përbashkët për të avancuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet e drejtësisë, me qëllim të administrimit dhe menaxhimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në përputhje me ligjin.