Konsultat për datën e zgjedhjeve, Begaj: Koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron! 

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, me temë nisjen e konsultave për datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vitin 2025.  Presidenti thotë se legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron.  Dekretimi i […]

Nëntor 20, 2024 - 17:00
 0  8
Konsultat për datën e zgjedhjeve, Begaj: Koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron! 

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, me temë nisjen e konsultave për datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vitin 2025. 

Presidenti thotë se legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. 

Dekretimi i datës së zgjedhjeve, sipas presidentit duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. 

Postimi i presidentit Begaj 

Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. 

Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre. 

Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. 

Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. 

Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. 

Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme. 

Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë. 

Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre.