Hoti për shtrenjtimin e rrymës: Për keqardhje që s’kemi Qeveri efektive që i trajton çështjet që i prekin qytetarët
Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se s’ka kurrfarë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë. Hoti thotë se tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe ky stabilitet pritet të vazhdojë, meqë është bërë progres në tranzicionin energjetik të shumë vendeve në BE për t’u pavarësuar nga gazi
Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se s’ka kurrfarë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.
Hoti thotë se tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe ky stabilitet pritet të vazhdojë, meqë është bërë progres në tranzicionin energjetik të shumë vendeve në BE për t’u pavarësuar nga gazi rus.
Përveç kësaj, Hoti thotë se s’ka logjikë që humbjet e vit pas vitshme të ndërmarrjeve të energjisë elektrike të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët.
Deputeti i LDK-së thotë se është për keqardhje që Kosova s’ka një qeveri efektive që të trajtojë në mënyrë profesionale dhe me profesionalizëm të gjitha çështjet që prekin standardin e familjeve kosovare.
“Është për keqardhje që sot Kosova nuk ka Qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familje”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
Nuk ka asnjë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.
E para, tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe pritet të mbesin të tilla, pasi nuk ka të ngjarë se do të ketë ndryshime në kërkesë dhe as në ofertë të energjisë. Kjo pasi është bërë progres i madh në tranzicionin energjetik të shumë vendeve të BE-së për t’u pavarësuar nga gazi rus, që nënkupton se është stabilizuar oferta për energji dhe ka siguri shumë më të madhe të furnizimit. Në anën tjetër, janë bërë investime madhore në shumë vende në efiçiencë të energjisë, të cilat investime së paku e kanë bërë më të moderuar rritjen vjetore të kërkesës për energji. Si rezultat, stabiliteti në ofertë dhe në kërkesë për energji pritet t’i mbajë çmimet e energjisë relativisht konstante.
E dyta, nuk ka asnjë logjikë që vit pas viti ndërmarrjeve të energjisë elektrike në Kosovë t’u pranohen humbjet, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët. Çdo vit miratohet plani i investimeve në rrjet, kostoja e të cilit llogaritet në tarifat që paguajnë konsumatorët. Prandaj, është e natyrshme që humbjet e llogaritura të energjisë në rrjet të reduktohen vit pas viti, e jo të mbesin të njëjta, aq më pak të rriten. Gjithashtu, është e ditur se pagesat nga ana e konsumatorëve për energjinë e konsumuar janë gjithnjë e më të rregullta, e cila gjë duhet të shpie në ulje të humbjeve të llogaritura dhe të reflektuara në tarifa.
Është për keqardhje që sot Kosova nuk ka Qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familje.