Indeksi i Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale: Komuna më e hapur është Manastiri, më e mbyllura ajo e Sopishtes
Në Maqedoninë e Veriut, komuna më e hapur është Manastiri, ndërsa më e mbyllura është ajo e Sopishtes. Diferenca mes këtyre dy komunave është serioze dhe arrin në 60 përqind. Nuk duhet të jetë kështu, sepse çdo komunë ka të njëjtat përgjegjësi ndaj qytetarëve të saj dhe çdo qytetar ka të drejtën e qasjes në […]
Në Maqedoninë e Veriut, komuna më e hapur është Manastiri, ndërsa më e mbyllura është ajo e Sopishtes. Diferenca mes këtyre dy komunave është serioze dhe arrin në 60 përqind. Nuk duhet të jetë kështu, sepse çdo komunë ka të njëjtat përgjegjësi ndaj qytetarëve të saj dhe çdo qytetar ka të drejtën e qasjes në informata dhe shërbime. Këtë e tregojnë rezultatet më të fundit të Indeksit të Hapjes së Pushtetit Lokal për vitin 2024, të cilat u prezantuan sot në Qendrën e Burimeve Qytetare, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, Koalicioni Rural dhe Qendra për Inovacion Social Blink 42-21, transmeton Portalb.mk.
Në forumin tematik “Komuniteti i angazhuar për rezistencën ndaj korrupsionit”, në sallën e mbushur plot u diskutua për praktikat e mira dhe sfidat për vetëqeverisje lokale më transparente, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve dhe çrrënjosjen e korrupsionit.
Fjalë përshëndetëse dhe rasti në këtë ngjarje mbajtën Aleksandar Krzhalovski, udhëheqës i ekipit kombëtar të Programit Civica Mobilitas dhe drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, si dhe Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis. Rezultatet e indeksit të hapjes së vetëqeverisjes lokale i prezantuan Mila Josifovska Danilovska, menaxhere e programit në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, Liliana Jonoski, drejtoreshë e Koalicionit Rural dhe Toni Konjanovski, kryetar i komunës së Manastirit.
“Analiza ka treguar se komunat më të hapura janë Manastiri me 67 përqind, Dellçeva me 66, Demir Hisar me 64, Velesi me 60, Vallandova me 59 përqind, ndërsa më të mbyllura janë komunat Sopishte, Studeniçan, Krivogashtani, Rosoman, Shuto Orizar. Po të vendosni krah për krah komunën më të hapur dhe më të mbyllur, do të shihni se ka një diferencë serioze prej 60 përqind. Nuk duhet të jetë kështu, sepse çdo komunë ka të njëjtat përgjegjësi ndaj qytetarëve, secila prej tyre ka të drejtë të ketë qasje në informata dhe shërbime që ndikojnë në jetën e tyre”, tha Mila Josifovska Danilovska.
Forumi mbahet në kuadër të projektit “Transformimi digjital në nivel lokal (DIGILOK) – Komuniteti i angazhuar për rezistencë ndaj korrupsionit”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas.
Hapja e komunave matet përmes katër parametrave: transparencë, ndërgjegjësim, qasje dhe integritet. Pra, komunat më transparente sipas Indeksit të Hapjes për vitin 2024 janë Berova, Velesi, Vallandova, Dellçeva, Manastiri, ndërsa më jotransparente është komuna e Sopishtës. Parë përmes parimit të vetëdijes, që i referohet cilësisë së planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave lokale, komuna më e vetëdijshme është Gjevgjelia. Rreth 20 komuna nuk publikojnë asnjë informacion që identifikohet me zonën e “ndërgjegjësimit”.
“Ajo që është e rëndësishme është ofrimi i qasjes të dukshëm në shërbime, së bashku me kontaktet që do të jenë të dobishme për qytetarët, në mënyrë që ata të informohen se ku të marrin ndihmë kur përdorin një shërbim. Mjet i rëndësishëm janë edhe zyrat për kontakt me qytetarët, si dhe mjetet elektronike, informatori, profilet zyrtare të mediave sociale të komunës”, shtoi Josifovska Danilovska.
Drejtori i Metamorfozës, fondacion i cili këtë vit feston 20 vjetorin e ekzistencës, Bardhyl Jashari, theksoi se promovimi i digjitalizimit dhe vënia në përdorim e tij për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve janë pika qendrore dhe fokusi i të gjitha aktiviteteve të organizatës.
Jashari tha se për një transformim digjital të suksesshëm, përfitimet e tij duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve. Ai shpjegoi se pikërisht kjo është arsyeja pse Metamorfozis e filloi këtë projekt.
“Me ndihmën e Indeksit të Hapjes, ne luftojmë kundër korrupsionit duke siguruar që qytetarët të kenë pasqyrë të plotë në punën e komunave” tha ai.
“Në këto 20 vite kemi punuar në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe organizatave shtetërore, kemi bërë shumë analiza të shërbimeve elektronike që janë në dispozicion në vendin tonë. Nevojat e qytetarëve shpesh neglizhohen, pikërisht për këtë arsye duhet t’i bëjmë të prekshme përfitimet e transformimit digjital. Digjitalizimi kontribuon në uljen e korrupsionit, por nuk është qëllim në vetvete, por është pjesë e një vizioni tjetër dhe mund të ndihmojë në mënyrë domethënëse, tha drejtori Jashari.
Kryetari i komunës së Manastirit, për të cilin analizat treguan se është më i hapuri, Toni Konjanovski, theksoi se pavarësisht politikave të larta, megjithatë ajo që i prek qytetarët është pikërisht vetëqeverisja lokale.
“Fakti që jemi komuna më e hapur është një nxitje që ne të jemi edhe më të mirë. Ne do të studiojmë me shumë seriozitet analizën që keni paraqitur për t’u përmirësuar. Ne kemi obligim që vetëqeverisjen lokale ta bëjmë transparente dhe të përgjegjshme. Është nder dhe krenari të punosh për vetëqeverisjen lokale, të jetë e hapur, e qasshme për qytetarët. Përmes meje dhe karakterit tim ata shohin transparencë, disponueshmëri”, tha Konjanovski, i cili theksoi se bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile është thelbësor për adresimin e nevojave të qytetarëve.
Milan Tançeski, drejtor i Qendrës për Inovacione Sociale Blink 42-21, si dhe Dragan Ananiev, sekretar i Komunës së Koçanit, folën për transformimin digjital në nivel lokal, si dhe për mjetin digjital mZaednica (mKomuniteti).
Qëllimi i forumit tematik është të theksohet rëndësia e përfshirjes së të gjitha segmenteve të shoqërisë në luftën kundër korrupsionit në nivel lokal. Kjo e potencon pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, duke i përfshirë edhe grupet e margjinalizuara, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merren parasysh perspektivat e tyre. Nëpërmjet forumit, synimi ynë është të inkurajojmë veprimin kundër korrupsionit, duke bashkuar përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale, organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, ekspertët, qytetarët dhe mediat në një luftë të përbashkët të bazuar në gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim.
Projekti “Transformimi digjital në nivel lokal (DIGILOK) – Komuniteti i përfshirë për rezistencë ndaj korrupsionit” është projekt i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” nga Shkupi, i cili realizohet në partneritet me “Koalicionin Rural” nga Kërçova dhe Qendrën për Inovacione Sociale “BLINK 42-2” nga Shkupi. Projekti mbështetet financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas. Projekti mbështet përfshirjen aktive të komunitetit në ndërtimin e rezistencës së fortë ndaj korrupsionit në nivel lokal. Kur komuniteti monitoron në mënyrë proaktive dhe kërkon përgjegjësi nga autoritetet lokale, ai krijon një ekosistem të fortë që e redukton korrupsionin. Kështu kultivohet një kulturë transparence dhe përgjegjësie, e cila e parandalon avancimin e praktikave korruptive dhe kontribuon për një qeverisje më të drejtë lokale.