Mickoski kërkoi durim për procesin e integrimit në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, pret që pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe pas takimeve të tij me përfaqësues ndërkombëtarë, të bëhen analiza të hollësishme për zhbllokimi e procesit të integrimit të shtetit në Bashkimin Evropian […]

tetor 18, 2024 - 22:00
 0  5
Mickoski kërkoi durim për procesin e integrimit në BE
Hristijan Mickoski. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, pret që pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe pas takimeve të tij me përfaqësues ndërkombëtarë, të bëhen analiza të hollësishme për zhbllokimi e procesit të integrimit të shtetit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Radio Evropa e Lirë.

Mickoski, gjatë një ngjarjeje në Komunën e Gazi Babës, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një shkolle fillore të re, bëri thirrje për durim, duke theksuar se “vendimet e nxituara në shumicën e rasteve nuk janë zgjidhja e duhur”.

“Çdo gjë është në lëvizje. Po udhëtoj këtë fundjavë në Austri, do të jem pjesë e një ngjarjeje në Salzburg, më pas do të kem takime me përfaqësues të lartë të Qeverisë dhe shoqërisë austriake, presidentin, ministrin e Jashtëm. Më pas vjen presidentja e Komisionit Evropian, pastaj kemi një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest më 7 nëntor, kështu që le të bëjmë një analizë për të parë se si do të funksionojë e gjithë kjo. Nëse arrijmë ta përmbushim qëllimin në këtë mënyrë, nuk do të ngutem për të marrë vendime”, deklaroi të premten Mickoski duke nënvizuar se diktatet për të nuk janë zgjidhje.

“Diktatet, për të qenë i qartë, nuk i pranoj. Për këtë proces është e nevojshme edhe mirëkuptimi nga BE-ja, e cila presim të tregojë të njëjtën besim në të ardhmen evropiane të rajonit tonë, siç është edhe besimi ynë”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë Shkupin më 24 tetor, si pjesë e turneut të saj në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjatë kësaj vizite, siç njofton Komisioni Evropian, Von der Leyen do të fokusohet kryesisht në ndihmën që Bashkimi Evropian po u ofron vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse i bënë ato, të jenë me zbatim të prolonguar, një ide kjo që është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, ashtu që 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.