Inspektorati nuk konstatoi mangësi në trajtimin e fëmijës nëntë vjeçar i cili ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) nuk ka konstatuar mangësi në trajtimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës nëntë vjeçar nga fshati Peshirovë, Komuna e Sveti Nikollës, i cili ndërroi jetë të martën në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup. ISHSSH bën të ditur se kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha institucionet shëndetësore […]

Jan 18, 2025 - 14:00
 0  3
Inspektorati nuk konstatoi mangësi në trajtimin e fëmijës nëntë vjeçar i cili ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup
Klinika Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve në Shkup, foto nga Portalb.mk

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) nuk ka konstatuar mangësi në trajtimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës nëntë vjeçar nga fshati Peshirovë, Komuna e Sveti Nikollës, i cili ndërroi jetë të martën në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup. ISHSSH bën të ditur se kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha institucionet shëndetësore ku është trajtuar fëmija dhe thonë se në të tria institucionet nuk ka pasur mangësi, transmeton Portalb.mk.

Inspektorët kanë konstatuar se, fëmija fillimisht është dërguar te mjeku amë në Sveti Nikollë më 14 janar, për shkak se ka pasur dhimbje në stomak të vjella, kollitje, temperature të lartë dhe pagjumësi.

“Gjatë kontrollit, fëmija ka qenë i përgjumur, afebril, pa shenja bindëse dehidrimi. Janë bërë analiza laboratorike, pas së cilës i është dhënë terapia me infuzion gjatë së cilës fëmija ka shfaqur përgjumje me përgjigje të dobët në të folur, për këtë arsye është dërguar në Spitalin klinik Shtip”, thuhet në kumtesën e Inspektoratit.

Në spitalin e Shtipit fëmija është sjellë me taksi dhe mjeku kujdestar i ka konstatuar diagnozën përgjumje. Për shkak të gjendjes së keqe të përgjithshme shëndetësore dhe konstatimeve nga analizat laboratorike, fëmija në të njëjtën ditë me veturë emergjente është transportuar në Shkup.

“Në momentin e pranimit, fëmija është në gjendje të rëndë të përgjithshme, prandaj është nisur menjëherë rihidrimi dhe korrigjimet e parametrave biokimikë. Në orën 22:25 ka pasur përkeqësim të mëtejshëm me arrest respirator dhe kardiak, ka nisur reanimacioni dhe në vazhdim është transferuar në Repartin për Kujdes Intensiv për trajtim të mëtejshëm. Gjendja e fëmijës vazhdon të përkeqësohet pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve shoqëruese, reanimacioni nuk pranohet dhe në orën 23:30 bëhet ekzitus”, tha Inspektorati.

Kujtojmë se, më 16 janar Klinika e Fëmijëve në Shkup njoftoi se dy ditë para kësaj, kishte ndërruar jetë një nëntë vjeçar nga Sveti Nikolla. Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, në një prononcim për “360 shkallë” ka thënë se fëmija është sjellë në institucionin e tyre në gjendje të rëndë shëndetësore me arrest kardiak dhe parametra të dobët jetësor.