Intonimi i himnit shtetëror në shkolla në pauzë, Qeveria e RMV-së e tërhoqi projektligjin për arsimin e mesëm
Himni shtetëror nuk do të intonohet në fillim dhe në fund të vitit shkollor dhe në patronazhet e shkollave, për shkak se Qeveria e tërhoqi projektligjin për arsimin e mesëm pasi partitë shqiptare në pushtet dhe në opozitë shpallën bllokimin e tij, transmeton Portalb.mk. Ministrja Janevska në një prononcim për “Sloboden Peçat” thotë se Qeveria […]
Himni shtetëror nuk do të intonohet në fillim dhe në fund të vitit shkollor dhe në patronazhet e shkollave, për shkak se Qeveria e tërhoqi projektligjin për arsimin e mesëm pasi partitë shqiptare në pushtet dhe në opozitë shpallën bllokimin e tij, transmeton Portalb.mk.
Ministrja Janevska në një prononcim për “Sloboden Peçat” thotë se Qeveria është përgjegjëse dhe punon për të mirën e qytetarëve, ndërsa ajo si ministre e Arsimit punon për të mirën e nxënësve dhe studentëve.
“Unë si ministre e Arsimit nuk mund të lejoj të mbeten pesë ligje të tjera, sepse BDI-së nuk i pëlqen një ligj – të intonohet himni. Si ministre përgjegjëse, besoj se edukimi dhe arsimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme, veçanërisht për të rinjtë. I përkushtohem përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni dhe gjatë mandatit tim do të punoj në integrimin e plotë të kësaj shoqërie përmes mundësive që ofron Ministria. Ky ishte një “reality chek” për mua dhe më zgjoi me realitetin. Tani nuk është problem sepse kam pasur të drejtë si ministre të vazhdoj të punoj për të mirën e të gjithë fëmijëve dhe qytetarëve tanë dhe njoftoj se në të ardhmen do të realizoj projekte për integrimin ndëretnik të nxënësve, për të cilat janë ndarë mjete. Ne kemi nevojë për fëmijë që do të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe jo sikur i përkasin një vendi të huaj. Do të bëj gjithçka që ky proces të vazhdojë, por në mënyrë paqësore, në përputhje me cilësitë dhe standardet e arsimit“, tha Janevska.
Nga VLEN thonë se pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e tyre, qeveria e tërhoqi ligjin për arsim të mesëm.
“U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN. Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amandamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë. Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë. VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Ndërkaq BDI thotë se është për të qeshur kur VLEN pretendon “fitore” për një ligj që vetë e miratoi në qeveri dhe më pas e lejoi në Kuvend.
“Si mund të ndalosh diçka që vetë e ke mbështetur? Në vend që të mbrojnë interesat e shqiptarëve, ata thjesht zbatojnë direktivat e VMRO-së, aq sa harrojnë edhe të fshijnë shënimet që tregojnë se deklaratat e tyre shkruhen në zyrat e VMRO-së! E vërteta është e qartë: ky ligj u ndalua nga rezistenca e popullit dhe Frontit Europian, jo nga “trimëria” e një partie që ka humbur çdo kredibilitet. Ashtu siç ndaluam vendimin katastrofal për Ligjin e Gjuhëve dhe sot këtë ligj diskriminues, ne do të vazhdojmë të mbrojmë shtetin multietnik si bartësit e vetëm të legjitimitetit të shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë përfaqësim të guximshëm, jo shërbëtorë që përdoren si vegla për interesat e të tjerëve!”, thotë BDI.
Kujtojmë që nismë për intonimin e humnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupot të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Ndërkaq në korrik të vitit 2024 Këshilli Komunal i Velesit vendosi që në vitin e ri shkollor 2024/25, çdo të hënë në turnin e parë dhe të dytë do të këndohet himni kombëtar i Maqedonisë së Veriut në fillim të mësimit në shkollat fillore.