“Jam gati për dialog me SHBA”, Kim Jong-un: Kam kujtime të bukura me Trumpin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka shprehur gatishmërinë e tij për të rinisur dialogun me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni ndalon së kërkuari që Pheniani të braktisë programin e tij të armëve bërthamore. Kështu raportoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut. “Nëse Shtetet e Bashkuara braktisin obsesionin e […]

shtator 22, 2025 - 09:30
 0

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka shprehur gatishmërinë e tij për të rinisur dialogun me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni ndalon së kërkuari që Pheniani të braktisë programin e tij të armëve bërthamore.

Kështu raportoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut.

“Nëse Shtetet e Bashkuara braktisin obsesionin e tyre iluziv me denuklearizimin dhe, duke pranuar realitetin, shprehin një dëshirë të sinqertë për bashkëjetesë paqësore me ne, atëherë nuk ka asnjë arsye pse të mos ulemi ballë për ballë me udhëheqjen e tyre”, tha Kim, sipas KCNA.

Më tej lideri komunist shtoi se “personalisht, kam kujtime të bukura me presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump”.

Koreja e Veriut  kreu gjashtë teste bërthamore midis viteve 2006 dhe 2017 dhe që atëherë ka vazhduar të zhvillojë arsenalin pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare. Pheniani mbron programin e tij bërthamor duke thënë se është për qëllime ushtarake, duke përmendur kërcënimet që thotë se përballet nga SHBA-të dhe aleatët e saj, përfshirë Korenë e Jugut.

Në janar, Kim Jong-un tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut do të vazhdojë “për një kohë të pacaktuar”. Nga ana e tij, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili pati kontakte me Kim Jong Un gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ka shprehur gatishmërinë për të përsëritur takimet e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, siç i quan ai “një njeri i zgjuar”.

Të dy udhëheqësit u takuan për herë të parë në një samit historik në qershor 2018 në Singapor, pastaj në Hanoi të Vietnamit në shkurt 2019 dhe për herë të fundit në zonën e demilitarizuar midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut në qershor 2019.