Janevska: 38 miliardë denarë për arsimin dhe shkencën në vitin  2025, buxheti më i madh i miratuar deri më tani

Arsimi në vitin 2025 do të financohet me buxhet prej 38 miliardë denarë. Më shumë para janë  parashikuara për investime kapitale me të cilët do të mbështesë procesin e optimizimit të rrjetit shkollor, paga më të larta për mësimdhënësit në shkollat ​​fillore dhe të mesme, si dhe për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë. […]

Jan 9, 2025 - 19:00
 0  4
Janevska: 38 miliardë denarë për arsimin dhe shkencën në vitin  2025, buxheti më i madh i miratuar deri më tani
Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: MASH

Arsimi në vitin 2025 do të financohet me buxhet prej 38 miliardë denarë. Më shumë para janë  parashikuara për investime kapitale me të cilët do të mbështesë procesin e optimizimit të rrjetit shkollor, paga më të larta për mësimdhënësit në shkollat ​​fillore dhe të mesme, si dhe për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë. Standardet e nxënësve dhe studentëve do të  avancohen dhe financimi për shkencën pothuajse do të dyfishohet. Kështu deklaroi në konferencë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke shtuar se realiteti i keq në arsim po fillon të ndryshohet, transmeton Portalb.mk.

“Buxheti i këtij viti është për 6 miliardë denarë më i madh se ai fillestar në vitin 2024. Bllok-dotacionet për të gjitha komunat janë rritur për 1,5 miliardë denarë, pasi që nga muaji mars është paralajmëruar rritje e pagave për 7% për punonjësit e shkollave. Paga më të larta këtë muaj marrin edhe të punësuarit në institucionet e arsimit të lartë, përkatësisht kuadri mësimor për 14% dhe kuadri jomësimdhënës për 8%”, tha Janevska, duke shprehur pritshmërinë se ky forcim i stabilitetit ekonomik do të jetë stimul për angazhim shtesë të kuadrit  mësimor dhe shkencor drejt arsimit më cilësor.

Ministrja theksoi gjithashtu se do të mbështetet procesi i optimizimit të rrjetit shkollor, si dhe përfshirjen e punës me një turn dhe qëndrimi i zgjatur për nxënësit, ku do të përfshihen edhe investime në ndërtimin, përshtatjen dhe pajisjen e kapaciteteve hapësinore.

“Fillojmë me një analizë për përshtatjen e 100 objekteve shkollore për një turn, pas së cilës do të vijojë projektimi dhe realizimi i aktiviteteve ndërtimore dhe për këtë jemi në negociata me Bankën Botërore për sigurimin e 500 milionë denarë “, shtoi Janevska.

Paratë për standardin  studentor po rriten nga 1,4 miliardë denarë në 1,8 miliardë denarë. Përveç rritjes së disa të drejtave, si subvencionimi i racionit  dhe sigurimi i transportit publik falas, Ministria e Arsimit po fokusohet edhe në përmirësimin e kushteve, siç thonë nga Ministria, katastrofike në konviktet e studentëve, për të cilat, siç tha Janevska, qeveria e kaluar nuk kishte dëgjuar, megjithëse u premtua vazhdimisht ndërtimi i objekteve.

“Dy konvikte tashmë janë duke u rinovuar dhe do të përfundojnë deri në fund të vitit dhe i gjithë procesi, duke përfshirë të gjitha konviktet , do të përfundojë në mandatin e Qeverisë”, tha ministrja, duke theksuar se buxheti i vitit 2025 parashikon rritje të mjeteve  për standardin studentor prej 110 milionë denarë, gjegjësisht 621 milionë denarë.

Për shkencën, buxheti është dyfishuar, nga 380 që është aktualisht në 680 milionë denarë.

“Politikat zhvillimore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë krijuar në bashkëpunim me organizata dhe shoqata të shumta partnere vendore, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilëve u jam pafundësisht mirënjohës dhe pres që përkrahja të intensifikohet”, theksoi Janevska.

Kujtojmë se në Raportin e fundit të progresit, Bashkimi Evropian kritikoi Maqedoninë e Veriut për reforma dhe performancë të dobët në arsim me përparim të kufizuar dhe me vonesa të shumta në miratimin e ligjeve kyçe dhe zhvillimin e strategjive për arsimin e mesëm, arsimin e të rriturve dhe aftësimin profesional.