Janevska: Janë mbyllur pesë institute private shkencore, kërcënimet do t’i raportojmë

Janë mbyllur pesë institute shkencore private, te pesëmbëdhjetë prej tyre janë konstatuar parregullsi, të cilat janë të obliguar t’i heqin brenda një afati të caktuar. Këtë në lidhje me mbikëqyrjet e realizuara të komisionit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i themeluar për këtë qëllim, e tha ministrja Vesna Janevska në emisionin “Për apo […]

dhjetor 27, 2024 - 14:00
 0  5
Janevska: Janë mbyllur pesë institute private shkencore, kërcënimet do t’i raportojmë
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Meta.mk

Janë mbyllur pesë institute shkencore private, te pesëmbëdhjetë prej tyre janë konstatuar parregullsi, të cilat janë të obliguar t’i heqin brenda një afati të caktuar. Këtë në lidhje me mbikëqyrjet e realizuara të komisionit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i themeluar për këtë qëllim, e tha ministrja Vesna Janevska në emisionin “Për apo kundër” në Televizionin Alfa, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se disa nga institutet janë mbyllur për shkak të mosaktivitetit, e disa për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për punë.

“Aty ku kemi konstatuar parregullsi është dhënë afat që për tre muaj të hiqen. Por mendoj se numri i instituteve të mbyllura shkencore do të jetë më i madh”, tha Janevska, duke shtuar se vetëm dy institute i plotësonin plotësisht kushtet për punë.

Janevska po ashtu tha se disa institucione arsimore nuk kanë dashur të bashkëpunojnë gjatë inspektimeve, madje disa prej tyre kanë kërcënuar edhe punonjësit e Ministrisë së Arsimit.

“Gjithçka që bëjmë është për arsim më të mirë, asnjë aktivitet nuk ka prapavijë politike. Ky është paralajmërimi i parë për të ndaluar kërcënimet, dhe e radhës do të jetë raportimi dhe në bazë të kësaj do të veprojnë institucionet tjera kompetente”, shtoi ministrja.

Janevska paralajmëroi se së shpejti, pas miratimit të disa zgjidhjeve ligjore në Kuvend, do të pasojë forcimi kadrovik në disa institucione, përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Arsimit dhe Byronë për Zhvillim të Arsimit.

Kujtojmë se në nëntor, ministrja deklaroi se janë konstatuar parregullsi në tri universitete dhe se parregullsi ka jo vetëm në universitete, por edhe në institute, dy prej të cilave janë mbyllur.

Sa i përket universiteteve, ministrja tha se Inspektorati Shtetëror Arsimor është duke punuar vazhdimisht për të gjitha raportet që u arrijnë dhe deri më tani në disa prej tyre janë konstatuar parregullsi të caktuara.