Janevska: Marrja e diplomave të falsifikuara është sekret publik në RMV, por është e vështirë të dëshmohet
Është sekret publik që njerëzit marrin diploma të rreme dhe të pamerituara. Por kjo është e vështirë të dëshmohet, sepse të dyja palët janë pjesëmarrëse dhe të dyja palët duhet të mbahen përgjegjëse, sepse është një akt kriminal. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke komentuar vërejtjet e saj në panelin […]


Është sekret publik që njerëzit marrin diploma të rreme dhe të pamerituara. Por kjo është e vështirë të dëshmohet, sepse të dyja palët janë pjesëmarrëse dhe të dyja palët duhet të mbahen përgjegjëse, sepse është një akt kriminal. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke komentuar vërejtjet e saj në panelin në kuadër të Samitit Maqedonia 2025, në seksionin se ka raste të marrjes së paligjshme të diplomave universitare, transmeton Portalb.mk.
“Njerëzit flasin hapur kur janë në një rreth privat se kanë marrë diploma të tilla. Por meqenëse është sekret publik, ne kemi instrumente me të cilat mund të kontrollojmë cilësinë e arsimit në institucione të caktuara të arsimit të lartë. Dhe ne e bëjmë këtë”, tha ajo.
Sipas saj, në Ligj ka pasaktësi, gjëra që nuk janë bërë në të kaluarën, për shembull, vlerësimet nga Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë.
“Që të jemi në gjendje ta mbyllim procesin, duhet të bëjmë ndryshime në ligjet për arsimin e lartë, ligjin për Agjencinë për Cilësinë në Arsimin e Lartë, ligjin për aktivitetin kërkimor shkencor, ligjin për inovacionin. Atë që na lejon Ligji për Shkencën, po e zbatojmë”, thotë ministrja.
Ajo theksoi se mund të mbyllin ligjërisht institute, dhe deri më tani kanë mbyllur 13 institute shkencore, dhe po aq të tjera janë nën monitorim të fortë.
“Kemi mbyllur një degë mjekësore, tani do të mbyllim edhe një të dytë. Ende jemi duke e përfunduar procesin, sepse nuk do të donim që procedura të mos ishte ashtu siç duhet të ishte. Do ta përfundojmë dhe do të vazhdojmë në atë drejtim në të ardhmen”, tha Janevska.
Sipas saj, kur filluan inspektimet dhe mbylljet, një numër i caktuar institutesh paraqitën kërkesë për mbyllje, sepse, siç shtoi ajo, ata vetë ishin të vetëdijshëm se nuk i plotësonin kërkesat dhe i mbyllën ato.
Mbyllja e Institutit për Hulumtime Shkencore LAOR në Tetovë ishte rezultati i fundit i revizionit të cilin e bën Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Ky është instituti privat shkencor i gjashti me radhë të cilin ministrja Vesna Janevska njoftoi se do e mbyllë. Në Tetovë u mbyll edhe Instituti i modës “Fashion Design”, si dhe disa institute të tjera në Shkup – Instituti i Ekonomisë së Biznesit, Instituti i Gjeobiologjisë, Arkeologjisë, Ujërave Nëntokësore dhe Ekologjisë, Instituti i Shkencës, Alternativës, Kulturës dhe Artit, si dhe Instituti për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Menaxhim të Ndryshimeve Klimatike “MILIEUCONTACT MAQEDONIA”.