Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Qeverinë në kërkimin e garancive për BE-në, thotë Bujar Osmani

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se nuk ka vërejtje në qëndrimet e VMRO-DPMNE-së për procesin e anëtarësimit në BE, sepse ata fituan një mandat me retorikën se nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar, transmeton Portalb.mk.  “Personalisht nuk kam asnjë vërejtje për këto qëndrime të VMRO-DPMNE-së […]

dhjetor 24, 2024 - 14:00
 0  4
Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Qeverinë në kërkimin e garancive për BE-në, thotë Bujar Osmani
Bujar Osmani, foto: Ministria e Punëve të Jashtme

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se nuk ka vërejtje në qëndrimet e VMRO-DPMNE-së për procesin e anëtarësimit në BE, sepse ata fituan një mandat me retorikën se nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar, transmeton Portalb.mk. 

“Personalisht nuk kam asnjë vërejtje për këto qëndrime të VMRO-DPMNE-së sepse kanë marrë mandat për atë temë. Ata ishin edhe më të ashpër për këtë çështje se sa janë tani. Dolën në votime dhe thanë se qëndrimi ynë është ky, nëse është e nevojshme të bllokohet BE-ja. Qytetarët maqedonas dhanë mbështetjen e tyre. Problemi është me VLEN-in, i cili sot mbush gjashtë muaj nga formimi i qeverisë, së pari firmosi se nuk do të hyjë në një qeveri ku nuk sigurohet përparimi në Bashkimin Evropian dhe së dyti se do të rishqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre nëse brenda gjashtë muajsh nuk sigurohet vazhdimi në BE”, ka thënë Osmani në një intervistë për “360 gradë” në RTM 1.

I pyetur nëse pajtohet me atë që VMRO-DPMNE të kërkojë ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, Osmani komentoi se procesi është i paparashikueshëm dhe se është mirë që vazhdimisht të kërkohet siguri.

“Procesi është i paparashikueshëm. Kemi kërkuar garanci. Qeveria duhet të vazhdojë të kërkojë garanci. Ne jemi të gatshëm këtu t’i ndihmojmë me sugjerime, me ide, me punë të përbashkët, për ta siguruar atë rrugë. Mendoj se BE-ja është diçka që nuk duhet të na ndajë partiakisht dhe politikisht”, tha ish-kreu i diplomacisë.

Në vërejtjen se retorika e Osmanit si ministër se i ashtuquajturi “Propozimi francez” i jep të gjitha garancitë, zyrtari i lartë i BDI-së thotë se ajo i referohet Kornizës Negociatore.

“Kam thënë, Korniza Negociatore nuk mund të ndryshohet. Nuk duhet ndryshuar, pasi është një kuadër i mirë negociues. Sipas mundësive duhet të sigurojmë një pozicion të favorshëm ku të mund të ndikojmë në konkluzionet e Këshillit. Garanci të tilla nuk kërkohen vetëm në deklarata. Ato kërkohen në konkluzionet e Këshillit. Dhe këtu Qeveria ka të drejtën legjitime të punojë me shtetet anëtare për të dhënë konkluzione në të cilat do të jepet të paktën njëfarë parashikueshmërie. Pasi që ndryshe nuk mund ta garantoni procesin sepse është i tillë, ata thjesht mund të abuzojnë kur të duan për çfarëdo teme”, tha Osmani.

Ai përsëriti se qeveria e kaluar u përpoq që çështjet dypalëshe të mos përfshihen në standardet nga pjesa thelbësore e Kornizës Negociatore. Dhe nuk janë, thotë Osmani, përveç Planit të Veprimit për pakicat.

I pyetur se pse e ka dërguar fillimisht Planin e Veprimit për Çështjet e Minoriteteve në Sofje për konsultim, e jo në Bruksel, Berlin dhe Paris, Osmani u përgjigj:

“Jo, asnjëherë nuk është dërguar zyrtarisht në Sofje. Po, më shumë shtete anëtare janë konsultuar, por kurrë nuk kemi dërguar një version zyrtar të Planit të Veprimit. Ne nuk mund të ekspozohemi ndaj 27 vendeve anëtare pa ditur se cilat janë pikëpamjet e secilit vend individualisht. Kështu, në muajin e fundit, diplomatët më pyetën nëse duhet ta nxjerrim zyrtarisht draftin, unë i thashë – jo. Do të vijë një qeveri e re, ata kanë mandat, do vendosin nëse do ta dorëzojnë apo jo”.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Plani i Veprimit të arrijë në Sofje përmes diplomatëve në Bruksel.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.