Jovanovski merr kreun e Kërçovës, Dehari largohet nga kolltuku pas 12 vitesh
Pas 12 vitesh Fatmir Dehari lëshon postin e kryetarit të Komunës së Kërçovës dhe ia lë Aleksandër Jovanovskit. Komisioni Komunal Zgjedhor ua dorëzoi çertifikatat këshilltarëve komunal dhe kryetarit të ri të Komunës. Pas marrjes së mandatit kryetari aktual i Komunës së Kërçovës Aleksandër Jovanovski tha se do të përkushtohet për të realizuar punë të mira […]
Pas 12 vitesh Fatmir Dehari lëshon postin e kryetarit të Komunës së Kërçovës dhe ia lë Aleksandër Jovanovskit. Komisioni Komunal Zgjedhor ua dorëzoi çertifikatat këshilltarëve komunal dhe kryetarit të ri të Komunës.
Pas marrjes së mandatit kryetari aktual i Komunës së Kërçovës Aleksandër Jovanovski tha se do të përkushtohet për të realizuar punë të mira për qytetin dhe qytetaret pa dallim përkatësie etnike.
“Nga kjo foltore ju premtoj punë të sinqertë, te vlefshme dhe me përkushtim për të realizuar të gjitha projektet të cilat i kemi premtuar. Dua tua bëjë të qartë të gjithëve se nuk do te kemi asnjë problem nga ana ime, unë do të mundohem të kemi bashkëpunim të mirë me të gjithë të punësuarit dhe t’i përmbushim pritshmëritë e qytetarëve tanë, si higjienën, projektet që i premtuam”, tha Aleksandër Jovanovski – Kryetar i komunës së Kërçovës.
Pas eventit solemn kryetari i ri u prit në zyrë nga kryetari në ikje Fatmir Dehari i cili e njoftoi Jovanovskin me projektet e nisura dhe të nënshkruara, të cilat sipas Deharit kapin vlerën e 7 milionë eurove investime kapitale. Dehari pasi përshëndeti të punësuarit me të cilët ka punuar 12 vite, falënderoi mërgimtarët dhe gjithë qytetarët e vendit.
“Zgjedhjet përfunduan, uroj për qetësi dhe kthjelltësi të qytetarëve tanë. E thash më herët e them edhe një herë nuk drejtoj ndaj askujt gishtin e fajësisë apo të bëjë rolin e gjykatësit. Gjykatësi më i mirë për çdo njërin nga ne duke filluar nga unë është ndërgjegjja dhe le të mbesi në ndërgjegjen e çdo njërit. Puna, përkushtimi apo e gjithë ajo që ka ndodhur brenda kësaj kohe. Ndaj askujt nuk kam luftë përveç luftë ndaj vetes sime, ndaj askujt nuk kërkoj ndryshim përveç vetes sime. Jam njeri, mund edhe të kem gabuar dhe për çdo gabim timin ju kërkoj ndjesë, falje, çdo qytetari që mund eventualisht të jetë i prekur”, pohoi Fatmir Dehari, ish- kryetari s Komunës së Kërçovës.
Përbërja e re e Këshillit Komunal është e përbërë prej 19 këshilltarëve: 5 këshilltarë ka AKI, 3 këshilltarë janë nga Koalicioni VLEN, 2 këshilltarë nga kandidati pavarur, 8 këshilltarë VMRO-DPMNE-ja dhe 1 LSDM-ja.