Kallas sot nis vizitën në disa vende të Ballkanit Perëndimor, RMV-ja nuk është në agjendën e saj
Përfaqësuesja e lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor, transmeton Radio Evropa e Lirë. Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallasi do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri […]


Përfaqësuesja e lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallasi do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë. Maqedonia e Veriut nuk ndodhet në agjendën e saj.
BE-ja njoftoi se në ditën e parë (sot) të turneut të saj në Mal të Zi zyrtarja e lartë evropiane do të takohet me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq. Ajo po ashtu do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.
Mali i Zi është shteti që ka avancuar më së shumti në rajon në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.
Më 8 prill, në Shqipëri, Kallasi do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Në Shqipëri shefja e diplomacisë evropiane do të takohet edhe me ministrin për Evropë dhe Çështje Evropiane, Igli Hasani, dhe me atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
“Ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri me ministrat Hasani dhe Vengu. Po ashtu, Kallasi do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.
Në ndalesën e fundit të vizitës në Ballkanin Perëndimor, Kallasi do të qëndrojë në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnjë, EUFOR.
Gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e saj në postin e shefes të diplomacisë së BE-së, Kallasi kishte premtuar që do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet.
Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës – si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.