Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kryetar i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami, ka theksuar sot se përkrah çdo ndryshim të Kushtetutës, me të cilin do të ndryshohen simbolet shtetërore që lidhen me sistemin e kaluar politiko-shoqëror, shkruan Portalb.mk. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të […]

shkurt 13, 2025 - 15:00
 0  4
Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kryetar i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami, ka theksuar sot se përkrah çdo ndryshim të Kushtetutës, me të cilin do të ndryshohen simbolet shtetërore që lidhen me sistemin e kaluar politiko-shoqëror, shkruan Portalb.mk.

Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.

“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.

Ndryshe, pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi dje se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.

Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë.

Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.