RMV, shkelje të privatësisë, identitete të vjedhura: Dhjetëra ankesa çdo vit në AMDhP
Vëzhgim i paligjshëm me video, cenim i privatësisë, keqpërdorim i të dhënave personale për qëllime marketingu, prezantim i rremë në emër tjetë. Këto janë vetëm disa nga dhjetëra ankesat që qytetarët e Maqedonisë i paraqesin çdo vit në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, shkruan Zëri Amerikës, transmeton Portalb.mk. Dhjetëra raporte për shkelje të […]


Vëzhgim i paligjshëm me video, cenim i privatësisë, keqpërdorim i të dhënave personale për qëllime marketingu, prezantim i rremë në emër tjetë. Këto janë vetëm disa nga dhjetëra ankesat që qytetarët e Maqedonisë i paraqesin çdo vit në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, shkruan Zëri Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Dhjetëra raporte për shkelje të të dhënave personale dorëzohen çdo vit nga qytetarët e RMV-s. Këtë e tregojnë të dhënat e Agjencisë, e cila siguron që kjo e drejtë e qytetarëve të mbrohet.
“Vitin e kaluar ka pasur 41 raportime, 41 kërkesa nga qytetarët dhe janë bërë mbikëqyrje përkatëse”, thotë Emilija Ginoska, këshilltare për informim në Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas të dhënave të Agjencisë, qytetarët janë ankuar shpesh për raste kur informacionet për ta grumbulloheshin në institucione të ndryshme, kur ato keqpërdoreshin për marketing, por edhe në rastet e vëzhgimit joadekuat me video.
Një kamerë nuk duhet të monitorojë punonjësit e zyrës
“Kamerë sigurie mund të vendoset në pallat, në hyrje të pallatit, në ashensorë, në ambiente të përbashkëta. Kamerat nuk vendosen në tualete apo gardëroba. Kamerat nuk vendosen as në zyrat ku ekzaminohen pacientët. Gjithashtu, në zyrë nuk vendoset kamera për të monitoruar punonjësit. Kjo është e ndaluar”, shpjegon Ginoska.
Nuk ka mbetur jashtë as hapësira online. “Janë edhe 249 ankesa, apo peticione nga qytetarët”. “Të gjitha kanë të bëjnë me rrjetet sociale”, theksoi Ginoska.
Këto janë kryesisht raste të profileve të vjedhura të mediave sociale, si dhe paraqitjeve të rreme duke përdorur foto dhe emra të njerëzve të tjerë. Por Agjencia ka mundësi të kufizuara këtu.
“Dëshironi të zbuloni se kush ka vjedhur ose hakuar llogarinë tuaj, në atë situatë ne nuk kemi juridiksion. Përcaktimi i autorit është në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por shumë qytetarë na drejtohen në ato situata. Jemi në kontakt me ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’ për të raportuar profile të rreme”, thotë Ginoska.
Për rastet kur qytetarët e Maqedonisë janë viktima të marrjes së kredive të shpejta me të dhëna të vjedhura nga letrat e tyre të identitetit, nga Agjencia thonë se janë duke bërë kontrolle në kompani tregtare.
“Ndonjëherë Agjencia reagon sipas detyrës zyrtare. Nëse dëgjojmë se kemi ndonjë informacion në lidhje me një kompani financiare, apo ndonjë person tjetër juridik, institucion apo kompani private, ku ka raste të shkeljes së të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, ne vetë reagojmë dhe dalim në terren”, tha Ginoska.
Hotelet nuk lejohen të mbajnë kartën tuaj të identitetit ose ta kopjojnë atë
Ka pasur edhe ankesa për praktikën në disa hotele dhe ambiente akomoduese vendase, të cilat ruanin kartat e identitetit të mysafirëve ose bënin kopje.
“Fotokopje konsiderohet edhe nëse dikush ju bën një foto kartës së identitetit dhe e ruan në celular. Kjo konsiderohet shumë e pasigurt. Ata nuk mund të mbajnë kartën tuaj të identitetit. Madje agjencia jonë ka gjobitur edhe objektet turistike që e kanë bërë këtë. Letërnjoftimin e kanë mbajtur derisa të ikin mysafirët”, sqaron tutje Ginoska.
Agjencia ka vetëm katër mbikëqyrës për të gjithë vendi
Megjithatë, për plotësimin e plotë të nevojave të qytetarëve, nevojiten inspektorë, të cilët sipas Agjencisë nuk janë në numër të mjaftueshëm.
“Kemi vetëm katër mbikëqyrës, të cilët bëjnë mbikëqyrje për tërë territorin e vendit, jemi reduktuar me kaq”, tha Ginoska.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve maqedonas për mbrojtjen e të dhënave personale tregon një trend në rritje, por statistikat thonë: Duhet bërë më shumë punë.
“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se të dhënat e tyre personale janë shumë të vlefshme. Ato janë aktualisht një nga monedhat më të vlefshme dhe më të tregtuara në botë. Prandaj, ata duhet të marrin të gjitha masat për t’u mbrojtur, jo vetëm për të ndarë të dhënat e tyre. Së pari, ata duhet të kontrollojnë për t’u siguruar që e njohin personin dhe nëse kërkesat janë të besueshme. Përndryshe, ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha”, deklaroi Ginoska.
Rasti i bisedës me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është Strategjia e re pesëvjeçare për Zbatimin e së Drejtës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që ky institucion promovoi së fundmi. Ndër pikat e listuara në strategji është pavarësia më e madhe e personelit dhe financiare e Agjencisë, me qëllim të zhvillimit më profesional dhe më stabil si organ që kujdeset për të drejtën e qytetarëve për të mbrojtur të dhënat e tyre personale.