Këshilli Gjyqësor e arsyeton tërheqjen e gjykatësit Jordan Vellkovski nga lënda e spitalit modular, nuk përgjigjen pse ai ka seanca të tjera
Pavarësisht se gjykatësi Jordan Vellkovski kalendarin me seanca e ka plot, edhe Këshilli Gjyqësor ngjashëm si Gjykata e Tetovës, e arsyeton tërheqjen e tij nga lënda për zjarrin në spitalin modular “për shkaqe shëndetësore”, shkruan Portalb.mk. Këshilli Gjyqësor e zvarriti dy javë përgjigjen në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse Jordan Vellkovski është tërhequr nga […]


Pavarësisht se gjykatësi Jordan Vellkovski kalendarin me seanca e ka plot, edhe Këshilli Gjyqësor ngjashëm si Gjykata e Tetovës, e arsyeton tërheqjen e tij nga lënda për zjarrin në spitalin modular “për shkaqe shëndetësore”, shkruan Portalb.mk.
Këshilli Gjyqësor e zvarriti dy javë përgjigjen në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse Jordan Vellkovski është tërhequr nga kjo lëndë, dhe nëse kjo është bërë për arsye shëndetësore siç thanë nga Gjykata e Tetovës, pse ai vazhdon të ketë seanca të tjera.
“Për shkaqe serioze shëndetësore dhe pamundësisë së përkohshme për punë të gjyqtarit Jordan Vellkovski, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Tetovës, nga 01.11.2024, lëndët e natyrës urgjente, përfshirë lëndën penale K-512/24, të cilat janë duke u trajtuar nga gjyqtari Jordan Velkovski, janë rishpërndarë përmes AKMIS-it te gjyqtarët e tjerë. Me shpërndarjen automatike lënda K-512/24 i ka kaluar gjyqtarit Rexhep Musa”, thanë nga Këshilli Gjyqësor.
Megjithatë, Vellkovski ka të caktuara seanca gjyqësore deri në fund të muajit maj.
Nga Këshilli Gjyqësor nuk u përgjigjën se pse gjykatësi Jordan Vellkovski ka të caktuara seanca të tjera gjatë kësaj periudhe nëse nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjykatësi Jordan Vellkovski i cili ishte në krye të rigjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë tani më është tërhequr nga lënda, dhe me këtë proces tani e dy seanca udhëheq gjykatësi Rexhep Musa.
Edhe nga Gjykata e Tetovës thanë se Vellkovski është tërhequr nga lënda për shkaqe shëndetësore.
Përndryshe, Vellkovski ka qenë në krye të gjykimit të parë për zjarrin në spitalin modular, kur në qershor 2023 me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza, ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Megjithatë, në maj 2024 Gjykata e Apelit vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Sidoqoftë, as gjykimi i parë dhe as rigjykimi nuk mbahen për të vërtetuar pse erdhi deri te zjarri, por të akuzuarit akuzohen për vepra të tjera penale.