Këshilli Gjyqësor: Elvedin Ferati nuk mund të shqiptonte dënim më të madh për shoferin që goditi Teodorën në Tetovë
Pasi Komisioni prej tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor e shqyrtuan rastin, nga atje thonë se gjykatësi Elvedin Ferati, nuk mund të shqiptonte dënim më të lartë në rigjykim për shoferin , i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska nga Tetova, transmeton Portalb.mk. “Me vendim të Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës në Tetovë dhe aktgjykimi […]


Pasi Komisioni prej tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor e shqyrtuan rastin, nga atje thonë se gjykatësi Elvedin Ferati, nuk mund të shqiptonte dënim më të lartë në rigjykim për shoferin , i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska nga Tetova, transmeton Portalb.mk.
“Me vendim të Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës në Tetovë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar anulohen dhe lënda kthehet për rigjykim. Rasti merr një numër të ri dhe në punë merret nga një gjyqtar tjetër. Në zbatim të nenit 428 të Ligjit të procedurës penale, nëse ankimi paraqitet vetëm në favor të të pandehurit, vendimi nuk duhet të ndryshohet në dëm të tij në drejtim të vlerësimit ligjor të veprës penale dhe sanksionit penal”, theksuan nga Këshilli Gjyqësor.
Sot më herët gjatë ditës, Shoqata e Gjykatësve në Gjykatën e Tetovës dolën në mbrojtje të gjykatësit Ferati. Ata njoftuan se në procedimet e përsëritura i pandehuri është dënuar me dënim maksimal me burgim.
“Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedimet e përsëritura, e ka dënuar të pandehurin me dënimin maksimal me burgim, duke marrë parasysh ndalimin e ndryshimit për më keq (Reformatio in peius), si parim të parashikuar në LPP, në një situatë kur, me kërkesë të të pandehurit, Gjykata e Lartë ka anuluar vendimet dhe e ka kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk duhet të ndryshohet në dëm të të pandehurit as në aspektin e kualifikimit ligjor të veprës, as në aspektin e sanksionit penal”, deklaruan nga Nëndega e Shoqatës së Gjyqtarëve Tetovë.
Reagimet publike ishin të forta, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor shqyrtimin e punës së gjyqtarit që vendosi ta dënojë shoferin me dy vjet burg, duke theksuar se një vendim i tillë paraqet “dështim të sistemit”.
Kritikave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, i cili deklaroi se reagimi i publikut është tregues i rëndësishëm i integritetit të dobët të sistemit gjyqësor.
Pas një presioni të tillë, Këshilli Gjyqësor tha do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati.
Më 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.
Ky rast ishte në rigjykim.
Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.
Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet.
Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.
Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.
Kujtojmë se Gjykatësi Elvedin Ferati ka qenë i komentuar në opinion pasi u konstatua se ai i ka korrigjuar notat e tij me shkarravitje në Universitetin e Tetovës. Rasti u zbulua nga Komisioni Kundër Korrupsionit më 27 dhjetor 2023, si pjesë e një auditimi të madh që numëroi fakultetet dhe studentët e diplomuar të cilëve iu dhanë diploma me një numër të pamjaftueshëm kreditesh. Ndërsa më pas u hap edhe hetim, i cili u mbyll në fillim të vitit 2025 nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, sipas tyre nga Universiteti i Tetovës kanë dalë dokumente, sipas të cilave Ferati në vitin 2014 ka ridhënë 4 provime dhe me këtë ka ngritur mesataren për t’u regjistruar në Akademinë për gjyqtarë.