Klekovski: Në vend që të presin për rimbursim, pacientët do të mund të marrin “Kleksan” direkt me recetë
Në vend që të kërkohet rimbursim, ilaçi kundër koagulimit të gjakut “Kleksan” do të jetë i disponueshëm me recetë në barnatore, njoftoi drejtori i Fondit për sigurime shëndetësore (FSHF) Sasho Klekovski në konferencën e sotme të përbashkët për media me drejtorin e Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, transmeton Portalb.mk. Siç theksoi ai, janë kërkuar […]

Në vend që të kërkohet rimbursim, ilaçi kundër koagulimit të gjakut “Kleksan” do të jetë i disponueshëm me recetë në barnatore, njoftoi drejtori i Fondit për sigurime shëndetësore (FSHF) Sasho Klekovski në konferencën e sotme të përbashkët për media me drejtorin e Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, transmeton Portalb.mk.
Siç theksoi ai, janë kërkuar dy ndryshime në rregullore, përkatësisht të lejohet kalimi i barnave nga lista spitalore në listën pozitive të farmacisë, si dhe t’i jepet e drejta Fondit për të negociuar çmimet e barnave të subvencionuara.
“Lista pozitive është një formë e subvencionimit për barna të caktuara. Ne besojmë se kur shteti i subvencionon tashmë, ne duhet të kemi të drejtë të negociojmë çmimin e tyre, dhe jo të pranojmë automatikisht çmimin e shitjes me shumicë. Kemi vënë re se me rritjen e mëparshme në listën pozitive, të gjithë prodhuesit kanë përdorur çmimet maksimale të lejuara”, tha Klekovski.
Ai shtoi se barnat në listën pozitive duhet të jenë me çmim më të ulët, në mënyrë që subvencionet të kenë efekt real.
“Prioriteti ynë i parë është kalimi te antikoagulantët, veçanërisht “kleksan”, i cili tashmë është në listën e spitaleve. Në vend që të presin për një rimbursim, pacientët do të mund të marrin direkt recetën e tyre. Ne presim që ky ndryshim të bëhet realitet sapo Komisioni të fillojë punën dhe rregulloret të harmonizohen”, deklaroi Klekovski.
Sipas tij, prodhuesit nuk duan të përfshijnë në listën pozitive tabletën antikoagulant “Ksalerto”, duke theksuar se Fondi është duke biseduar me një nga prodhuesit për të siguruar një çmim më të ulët.
“Po flasim me një nga prodhuesit për të siguruar një çmim më të ulët, sepse ky medikament përdoret shpesh te pacientët e moshuar me probleme kardiake”, shtoi tutje drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.