Raportohet për bastisje në disa lokacione në Shkup, cak i aksionit pjesëtarë të policisë së burgjeve

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me prokurorin publik, me urdhër të mëparshëm të gjykatës, që nga mëngjesi i sotëm ka kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, transmeton Portalb.mk. Sipas informacioneve që “360 Gradë” ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të […]

shkurt 27, 2025 - 14:00
 0  4
Raportohet për bastisje në disa lokacione në Shkup, cak i aksionit pjesëtarë të policisë së burgjeve
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me prokurorin publik, me urdhër të mëparshëm të gjykatës, që nga mëngjesi i sotëm ka kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve që “360 Gradë” ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), objektiv i aksionit janë persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve.

Kjo duket qartë nga njoftimi i Prokurorisë Publike për NKOK-së, ku thuhet se aksionin e udhëheq një prokuror publik nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve pranë Prokurorisë. Aksioni është i koordinuar me Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ministria e Brendshme dhe PNKOK nuk kanë dhënë më shumë detaje rreth aksionit, ndërsa informacione më të hollësishme do të njoftohen gjatë ditës.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara në një pjesë të mediave, në aksion janë përfshirë punonjës aktualë dhe ish-të burgut, përfshirë ish-drejtorin e burgut hetimor në Shutkë, Filip Andonov – Sokol, si dhe drejtorin në të njëjtin burg Sasho Krstevski – Zverot.

Kujtojmë se Policia e Maqedonisë së Veriut, ka kryer një sërë aksionesh në shënjestër të të cilave ishin zyrtar të deritanishëm shtetëror, anëtar të grupeve kriminale dhe persona të tjerë.