Komisionarja Kos mbërriti në Shkup, sot dhe nesër takohen udhëheqësit e Ballkanit për Planin e Rritjes
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski priti sot pasdite në aeroportin e Shkupit komisioneren e BE-së për zgjerim Marta Kos, e cila do të jetë në vend sot dhe nesër. Vizita e saj në vend është me rastin e takimit të nesërm të liderëve të Bashkimit Evropian – Ballkanit Perëndimor, […]

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski priti sot pasdite në aeroportin e Shkupit komisioneren e BE-së për zgjerim Marta Kos, e cila do të jetë në vend sot dhe nesër. Vizita e saj në vend është me rastin e takimit të nesërm të liderëve të Bashkimit Evropian – Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Shkup dhe do të diskutohet Plani i Rritjes.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, fokusi do të jetë në Planin e Rritjes, agjendën e reformave, si dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë dhe rajoni në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, informoi ministri i Punëve të Jashtme në një postim në Facebook.
Mucunski njoftoi se sot ai dhe kryeministri Hristijan Mickoski do të takohen me Kos, duke theksuar se për Qeverinë, integrimi evropian nuk është vetëm një angazhim deklarativ, por një përcaktim i qartë strategjik.
Sot dhe nesër, 30 qershor dhe 1 korrik 2025, në Shkup, në hotelin “Hillton”, do të mbahet takimi i liderëve BE–Ballkani Perëndimor, i kushtuar Planit për Rritje
Sot do të mbahet takim tet-a-tet ndërmjet Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, pas së cilës do të pasojë një takim bilateral me delegacione në format më të zgjeruar.
Nesër në orën 9:30 parashikohet mbërritja dhe pritja zyrtare e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Në orën 10:00 do të fillojë paneli i parë kushtuar Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor
Fjalime hyrëse do të mbajnë kryeministri Hristijan Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.
