Zvarritet rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç në Tetovë, komuna fajin ja le motit të keq

Punimeve për rikonstruimin e rrugës Boris Kidriç në Tetovë nuk ju shihet fundi, ndonëse ishte e paraparë që të njëjtat të përfundojnë në muajin shkurt, kjo nuk ka ndodhur. Nëse kjo rrugë do të përfundojë deri në muajin gusht, sipas komunës varret nga moti. Nuk ka plan për vazhdimin e rrugës deri te qendra sportive, […]

Prill 12, 2025 - 13:00
 0  8
Zvarritet rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç në Tetovë, komuna fajin ja le motit të keq
Punimet në rrugën "Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Punimeve për rikonstruimin e rrugës Boris Kidriç në Tetovë nuk ju shihet fundi, ndonëse ishte e paraparë që të njëjtat të përfundojnë në muajin shkurt, kjo nuk ka ndodhur. Nëse kjo rrugë do të përfundojë deri në muajin gusht, sipas komunës varret nga moti. Nuk ka plan për vazhdimin e rrugës deri te qendra sportive, pavarësisht gjendjes së keqe të rrugës, shkruan Portalb.mk. 

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024. 

Në nëntor të vitit 2024 nga Komuna e Tetovës patën thënë se ndërsa afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizoj punimet, që i bie se deri në fund të muajit shkurt 2025, rruga do duhej të kishte përfunduar. 

Të pyetur për këtë, nga Komuna e Tetovës ndryshuan fjalët, fajësojnë motin e keq.

“Për punët përgaditore, punimet e dheut, kontrata ka afat një vjet deri në muajin shkurt. Ne e dimë se prej muajit nëntor-dhjetor, deri në muajin shkurt-mars, koha ka qenë e ftohtë dhe me borë, prandaj edhe nuk është hequr asfalti në korsinë tjetër. Në lidhje me asfaltin, njëjtë kontrata ka afat një vjeçar dhe mbaron në gusht 2025”, thanë nga Komuna e Tetovës. 

Nga aty shtuan se me rregullimin e kohës do të lëshohet korsia që është tamponuar dhe do të niset me heqjen e asfaltit dhe vendosjen e sakjoreve në korsinë tjetër. 

Rikonstruimi i rrugës për momentin nuk është planifikuar të bëhet në pjesën e cila kalon nga Qendra Sportive, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa. Komuna thotë se së shpejti do të nisë punimi i projektit, por pa treguar se kur. 

“Për momentin nuk kemi projekt të përpiluar për vazhdimin e Rrugës Boris Kidriç deri te rrethrrotullimi me bulevardin V.S. Bato. Së shpejti do të jeper urdhëresë për të punuar projektin”, theksuan nga Komuna e Tetovës. 

Për ndërtimin e rrugës Boris Kidriç është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.