Konventa Ndërkombëtare e Aviacionit Civil ne 80 vjetorin e saj
7 Dhjetori 2024 shënon 80-vjetorin e nënshkrimit të Konventës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, e njohur në rrethet profesionale si “Konventa e Çikagos”. Nënshkrimi i kësaj Konvente do të sillte disa muaj më vonë krijimin e Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar (ICAO), si një agjenci e specializuar e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nënshkrimi i këtij
7 Dhjetori 2024 shënon 80-vjetorin e nënshkrimit të Konventës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, e njohur në rrethet profesionale si “Konventa e Çikagos”.
Nënshkrimi i kësaj Konvente do të sillte disa muaj më vonë krijimin e Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar (ICAO), si një agjenci e specializuar e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Nënshkrimi i këtij dokumenti me vlerë dhe impakt global, nga 54 shtete që formonin boshtin e fituesve të Luftës së Dytë Botërore, do të shënonte modernizimin e burimit kryesor të së Drejtës Juridike për përdorimin e hapësirës ajrore në interes të publikut dhe kombeve të botës në përgjithësi.
Origjina dhe përpjekjet për hartimin e një Kodi Ndërkombëtar të Navigimit Ajror ishin tentuar aty rreth vitit 1900 nga juristi i famshëm francez Fauchille, i cili sugjeronte që proceset ligjore t’i paraprinin atyre teknike. Ideja për këtë nismë përkonte edhe me aventurën e suksesshme të fluturimit të parë me fuqi motorike nga Wright Brothers në SHBA.
Një direktivë e policisë franceze, e lëshuar aty nga viti 1784, që lidhej me mos-operimin e ballonave nga Vëllezërit Montgolfier (gjermanë) pa leje paraprake, do të sillte si nevojë unifikimin e së Drejtës Ajrore në nivel ndërkombëtar.
Qeveria franceze e kohës propozon dhe nënshkruan një marrëveshje me qeverinë gjermane për zgjidhjen e problemeve që ekspozoheshin. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Parisit të vitit 1910, si e para marrëveshje ndërkombëtare mbi rregullat që duheshin zbatuar në çështjet e shfrytëzimit të hapësirave ajrore.
Për arsye më shumë politike sesa juridike, kjo Konferencë nuk adoptoi asnjë dispozitë mbi “Liritë e Fluturimeve”.
Por ngjarjet rridhnin ndryshe dhe, nga viti 1919, kryhet fluturimi i parë ndërkombëtar ajror midis Parisit dhe Londrës, duke respektuar juridikisht sovranitetin e hapësirës ajrore sipas nocionit të së Drejtës Romake: “Cujus est solum, ejus est usque ad coelum ad inferos.”
Lufta e Dytë Botërore solli një zhvillim teknologjik të industrisë së aviacionit të panjohur më parë, që, për fat të keq, i shërbente jo mirëqenies, por shkatërrimit të vlerave dhe interesave njerëzore.
Dhe pikërisht, siç përmenda më sipër, që ky zhvillim të kthehej në mirëqenie për njerëzimin, i detyroi hartuesit e Konventës së Çikagos të mbronin, nëpërmjet instrumenteve ligjore, qëllimin e aviacionit në shërbim të paqes dhe njerëzimit.
Vitet ’90 do të ishin kohë ndryshimesh të regjimeve politike në Europën Lindore.
Edhe pse formalisht në Shqipëri nuk ndjehej se ndryshime drastike do të ndodhnin nga vetë brenda sistemit, presioni ndërkombëtar ishte në “alert”.
Nëpërmjet kompanive ajrore perëndimore që operonin para viteve ’90, si “Swissair”, bëhej e mundur që nëpërmjet saj të vinin funksionarë të Organizatave Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për të negociuar me autoritetet e larta të administratës sonë.
Qëllimi ishte “hapja graduale” e hapësirës ajrore për operime civile dhe në interes të kompanive ajrore për të gjetur rrugët më të shkurtra për në destinacionet e tyre.
Në ato vite, kam qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në këto takime, ku, falë guximit vizionar të disa prej autoriteteve të kohës, si Ministri i Transporteve Z. Salvator Franja dhe drejtuesit Valter Bedini, Stavri Leshica, Foto Dhuka, Ligor Daci, diplomati Leonard Zisi dhe Ilir Bushati, u bë e mundur që për herë të parë në historinë e sistemit të kaluar hapësira ajrore e Shqipërisë të hapej për trafik ndërkombëtar ajror civil.
Duhet të kemi gjithmonë parasysh se sistemi nuk kishte rënë akoma. Presioni i ndërkombëtarëve nuk reshte. Ndjenim aromë ndryshimesh, ne që kishim fatin të ishim të përfshirë në këtë sektor.
Albcontroll-i i sotëm vihej para sfidave dhe përgjegjësive të mëdha për të përballuar dhe menaxhuar numrin modest të mbifluturimeve, përveç atyre të ulje-ngritjeve në aeroportin e Rinasit. Standarti nuk kompromentohej. Lindi nevoja për trajnime dhe kualifikime të personelit të kontrollorëve të trafikut ajror.
Propozime dhe negociata ishin propozuar për krijimin e kompanive ajrore civile. Z. Behgjet Pacolli ishte një prej tyre që në ato vite.
Rregullat dhe standartet teknike-operative duheshin respektuar detyrimisht.
Pushteti i asaj kohe “dorezohet” dhe orienton Ministrinë e Punëve të Jashtme që, nëpërmjet Byrosë Juridike të saj, drejtuar nga Prof. Diplomat Ksenofon Krisafi, të fillojë depozitimin e instrumenteve juridike për aderimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
Në vitin 1991 Shqipëria, de fakto dhe de jure, pranohet në këtë organizatë me të drejta të plota.
Në shtator të vitit 1992, një delegacion i përbërë nga “Miku i Aviacionit”, i ndjeri dhe i respektuari Përparim Zuna dhe unë, morëm pjesë për herë të parë në Sesionin e 17-të të Asamblesë së ICAO-s.
Në përfundim të sesionit, në pritjen ceremoniale, na u dhurua një kuti e madhe kartoni me rregullore dhe protokolle me standartet dhe praktikat rekomanduese që duhej të adoptonim. Po kush do t’i lexonte të gjitha këto “broshura”? – i thamë të habitur.
Guximi dhe vetmohimi i juaj dhe i brezave që do të vijnë, na thanë.Ishte e paimagjinueshme ta mendonim në ato kohë se dikush do të zhytej dhe nuk do të shkëputej asnjë moment nga kontakti me to.
Imagjinoni, ishin vite të vështira që kalonte vendi ynë në atë vigjilje të ndryshimeve spektakolare. Inxhinierë, juristë, ekonomistë dhe çdo kategori profesionale ishin të “raskapitur” dhe të paorientuar. Mungonte çdo lloj shprese dhe infrastrukture…
Duheshin integruar dhe adresuar me njohuritë e kohës.
Albanian Airlines dhe Ada Air, së bashku me Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror, u transformuan në akademi të vërteta për nxjerrjen e profesionistëve në fushën e transportit ajror.
Inxhinierë avionësh, kontrollorë trafiku ajror, komercialistë, financierë, stjuardesa, informaticienë të sistemeve të rezervimeve kompjuterike, menaxherë aeroportesh, teknikë të sistemeve të ndriçimit të pistës dhe përdorues radari filluan të bëheshin nga profesionet më të kërkuara në mjediset shkollore dhe universitare…
Sot?
E paimagjinueshme!
Menaxhimi i Trafikut Ajror është tashmë i një niveli ndërkombëtar, duke përfshirë kontrollorët e trafikut ajror dhe kompanitë low-cost, të cilat kanë revolucionarizuar dhe thyer rekorde në numrin e udhëtarëve të transportuar. Një menaxhim i pakrahasueshëm dhe adekuat i Aeroportit të Tiranës.
ICAO, që nga dita e parë dhe deri sot, ka qëndruar si një ombrellë mbrojtëse dhe vrojtuese për çdo aktivitet ajror ndërkombëtar. ICAO ka vlerësuar pozitivisht çdo arritje spektakolare në fushën e sigurisë (Safety) dhe mbrojtjes (Security).
Asgjë nuk ka ardhur nga hiçi, por nga puna me vetmohim e secilit profesionist të përfshirë në sektorët përkatës. Një përgëzim i veçantë për të gjithë ata që ndiejnë se kanë kontribuar. Kërkoj ndjesë, sepse ata janë shumë tashmë dhe kam frikë se mund të lë dikë pa përmendur.
Krenarë të gjithë sa jemi për këtë përvjetor.
Feliks Baci.