Kosova në krizë të vazhdueshme, mbi gjysma e popullsisë jashtë aktivitetit ekonomik!
Shkruan: Mateo Spaho Tregu i punës në Kosovë po përballet me një nga sfidat më serioze qe pas pavarësisë. Të dhënat më të fundit nga Regjistrimi i Popullsisë 2024 nxjerrin në pah një realitet shqetësues: mbi gjysma e popullsisë në moshë pune nuk është aktive ekonomikisht, ndërsa papunësia mbetet në nivelin 13.9%. Kjo situatë sinjalizon


Shkruan: Mateo Spaho
Tregu i punës në Kosovë po përballet me një nga sfidat më serioze qe pas pavarësisë. Të dhënat më të fundit nga Regjistrimi i Popullsisë 2024 nxjerrin në pah një realitet shqetësues: mbi gjysma e popullsisë në moshë pune nuk është aktive ekonomikisht, ndërsa papunësia mbetet në nivelin 13.9%. Kjo situatë sinjalizon jo vetëm vështirësi ekonomike, por edhe probleme të thella strukturore dhe sociale.
Nga mbi 1 milion qytetarë në moshë pune, rreth 548 mijë janë jashtë tregut të punës. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e potencialit njerëzor të vendit nuk dihet se çfarë bën! Ndodhet brenda apo jashtë shtetit? Ka në plan të marrë një zanat? Jo-aktivizimi në këtë nivel është ndër më të lartët në rajon dhe paraqet pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm te vendit.
Edhe më shqetësuese është pabarazia gjinore në tregun e punës. Rreth 65.4% e grave janë joaktive, krahasuar me 37.8% të burrave. Kjo diferencë tregon qartë se gratë në Kosovë përballen me barriera të shumta kulturore dhe ekonomike për të hyrë në tregun e punës. Për më tepër, edhe ato që janë aktive kanë gjasa më të larta të humbasin punën në krahasim me burrat.
Një tjetër problem madhor është përqendrimi i punësimit në disa sektorë të kufizuar si tregtia, prodhimi dhe ndërtimtaria. Kjo strukturë ekonomike e ngushtë e bën ekonominë të brishtë dhe të varur nga sektorë me vlerë të shtuar relativisht të ulët. Mungesa e diversifikimit ekonomik, me një bujqësi të kufizuar dhe një industri të lehtë embrionale, kufizon mundësitë për punësim cilësor dhe për zhvillim afatgjatë.
Gjithashtu, ekziston një hendek i dukshëm midis të dhënave zyrtare për punësimin dhe atyre nga sistemi i kontributeve për pension. Dhjetëra mijëra persona nuk paguajnë kontributet duke treguar një nivel të lartë informaliteti në tregun e punës. Kjo jo vetëm që dëmton të ardhurat e shtetit, por edhe lë punëtorët pa mbrojtje sociale dhe siguri për të ardhmen.
Pasojat e kësaj gjendjeje janë të shumanshme. Një treg pune i dobët nxit emigrimin, veçanërisht të të rinjve, të cilët kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, rritet varësia nga remitancat dhe konsumi, në vend të një ekonomie prodhuese dhe konkurruese. Kjo krijon një cikël të vështirë për t’u thyer, ku mungesa e zhvillimit ekonomik ushqen më tej papunësinë dhe in-aktivitetin.
Për të adresuar këtë situatë, nevojiten masa konkrete dhe të mirëkoordinuara. Së pari, duhet të hartohen politika aktive për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Kjo përfshin investime në çerdhe dhe kopshte, politika të punës fleksibile dhe luftimin e diskriminimit gjinor në punësim.
Së dyti, është e domosdoshme diversifikimi i ekonomisë. Investimet duhet të orientohen drejt sektorëve me potencial të lartë si teknologjia e informacionit, energjia e ripërtëritshme dhe prodhimi i avancuar. Kjo do të krijonte vende të reja pune dhe do të rriste konkurrueshmërinë e vendit.
Një tjetër hap i rëndësishëm është formalizimi i tregut të punës. Institucionet duhet të forcojnë kontrollet dhe të krijojnë stimuj për bizneset që të deklarojnë punëtorët dhe të paguajnë kontributet përkatëse. Formalizimi rrit transparencën dhe sigurinë sociale për qytetarët. Po ashtu, sistemi arsimor duhet të lidhet më ngushtë me kërkesat e tregut të punës. Shumë të rinj përfundojnë studimet pa aftësi praktike që kërkohen nga punëdhënësit. Arsimi profesional dhe trajnimet praktike duhet të marrin më shumë vëmendje. Në fund, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe “startup”- et është thelbësore. Këto biznese kanë potencial të madh për krijimin e vendeve të punës, por shpesh përballen me mungesë financimi dhe burokraci.
Kurti dhe ata që do e pasojnë duhet të kuptojnë se nuk mund të ketë Kosovë patriotike pa patur një Kosovë të pasur me qytetarë aktiv dhe sipërmarrës. Nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë dhe të vendosur, Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të popullsisë së saj. Tregu i punës nuk është vetëm çështje ekonomike, por themel i mirëqenies sociale dhe stabilitetit politik e ushtarak të vendit.
