Kosova shënon Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz
Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 tetorin, Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ku këtë vit në fokus do të jetë ndërgjegjësimi, identifikimi dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, atyre lëmoshëkërkues dhe fëmijëve që braktisin shkollën. Zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani theksoi se trafikimi me njerëz është një nga
Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 tetorin, Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ku këtë vit në fokus do të jetë ndërgjegjësimi, identifikimi dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, atyre lëmoshëkërkues dhe fëmijëve që braktisin shkollën.
Zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani theksoi se trafikimi me njerëz është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Trafikantët qenien njerëzore e shndërrojnë në mall dhe ndryshe trafikimi njihet edhe si skllavëri e shekullit XXI. Dhe, nga kjo dukuri nuk ka shpëtuar pa u prekur edhe vendi ynë Kosova, marrë parasysh edhe tranzicionin që ka kaluar.
“Andaj, institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar përkushtim për të mbrojtur vlerat më elementare të të drejtave të njeriut dhe kanë marrë masat e nevojshme në përputhshmëri me konventat dhe direktivat ndërkombëtare”, theksoi Gashani.
“Zëvendësministri vuri në pah se në nivel të koordinimit ndërinstitucional, Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Koordinatorit Kombëtar, koordinon aktivitete në zbatim të strategjisë kombëtare kundër trafikimit me njerëz 2022-2026. Po ashtu, janë hartuar disa nisma ligjore, për të cilat në Raportin e Progresit thuhet: ‘Legjislacioni për trafikimin e qenieve njerëzore është në përputhje të plotë me Asquis Communitaire përkatëse të Bashkimit Evropian’”.
“Për luftimin me sukses të trafikimit me njerëz kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe organizatat apo institucionet tjera ndërkombëtare, të cilat në një formë apo tjetër po japin kontributin e tyre në parandalim dhe mbrojtje të viktimave, e të cilat janë edhe pjesë e Autoritetit Kombëtar. Prandaj, më lejoni që për kontributin e tyre të shpreh mirënjohjen time si Koordinator”, theksoi Gashani.
Në fund të fjalës së tij, Gashani, theksoi se sot po shënohet 18 tetori, që është Dita e Evropës Kundër Trafikimit me Njerëzore dhe po e hapim fushatën e ndërgjegjësimit kundër kësaj dukurie, por kjo nuk nënkupton se aktivitetet e puna e institucioneve të Kosovës po fillojnë sot e do të mbyllen pas një muaji.
“Lufta kundër trafikimit me njerëz, veçanërisht shfrytëzimit të fëmijëve, kërkon një përpjekje të përbashkët nga të gjitha sektorët e shoqërisë. Duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, mund të mbrojmë individët e cenueshëm dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”.
Nën sloganin “Mos HESHT”, të gjitha institucionet dhe organizatat partnere brenda Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz, do të zhvillojnë shumë aktivitete, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit e parandalimit të kësaj dukurie, por edhe mbrojtjes e rehabilitimit të viktimave, me theks të veçantë të fëmijëve në situatë rruge, atyre lëmoshëkërkues dhe fëmijëve që kanë braktisur shkollën.