Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi Strategjinë nacionale për zhvillim në dy dekadat e ardhshme

Strategjia Nacionale për Zhvillim për periudhën 2024-2044 u miratua sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, strategji e cila do të jetë në këtë periudhë udhërrëfyes dhe vizion. Kuvendi me 70 vota “për” votoi për miratimin e kësaj strategjie, transmeton Portalb.mk. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që kjo Strategji është hartuar me mbështetjen e […]

tetor 30, 2024 - 07:02
 0  4
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi Strategjinë nacionale për zhvillim në dy dekadat e ardhshme
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Strategjia Nacionale për Zhvillim për periudhën 2024-2044 u miratua sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, strategji e cila do të jetë në këtë periudhë udhërrëfyes dhe vizion. Kuvendi me 70 vota “për” votoi për miratimin e kësaj strategjie, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që kjo Strategji është hartuar me mbështetjen e UNDP-së dhe gjithë agjencitë e OKB-së, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministrinë e Financave në Republikën e Sllovakisë.

“Strategjia është një dokument i përbashkët, një pikë ndërlidhëse e gjithë faktorëve vendimtare që duan të përfshihen në krijimin e së ardhshmes së rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, deklaroi Qeveria.

Përmes kësaj Strategjie synohet zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i standardit, ku do të instalohet sistemi i meritave, sistem ku vlerësohen aftësitë dhe dituria.

“Strategjia nacionale për zhvillim është një bazë e shkëlqyer dhe solide për zhvillimin e shtetit dhe përfaqëson dokument strategjik për hapat e ardhshme të kësaj Qeverie dhe asaj të ardhshme”, deklaroi Qeveria.

Gjithashtu në këtë strategji është përfshirë edhe përmirësimi i klimës së biznesit, duke siguruar investime dhe vende pune të reja.

“Shtet pa korrupsion, shtet me sistem që funksionon, shtet që ndërton sistem të meritave me mekanizma dhe qëllime që patjetër duhet t’i krijojmë dhe zbatojmë dhe që janë pjesë e kësaj strategjie”, sqaroi Qeveria.

Në Strategji synohet edhe arsimi cilësor, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe sigurimi i mundësive të reja për të rinjtë.