Kuvendi i RMV-së: Nuk është e vërtetë se nuk punojmë, janë anuluar vetëm seancat plenare dhe disa ngjarje të tjera

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka dalë me sqarim lidhur me reagimet për vendimin e fundit për shtyrjen e aktiviteteve të Kuvendit gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave. Nga shtëpia ligjvënëse thonë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe deputetët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë. Ajo që është anuluar janë seancat plenare, thuhet […]

Mars 26, 2025 - 19:00
 0  6
Kuvendi i RMV-së: Nuk është e vërtetë se nuk punojmë, janë anuluar vetëm seancat plenare dhe disa ngjarje të tjera
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka dalë me sqarim lidhur me reagimet për vendimin e fundit për shtyrjen e aktiviteteve të Kuvendit gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave. Nga shtëpia ligjvënëse thonë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe deputetët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë. Ajo që është anuluar janë seancat plenare, thuhet në njoftim, janë komisionet dhe disa ngjarje të tjera që kërkojnë prezencë mediatike, transmeton Portalb.mk.

“Ky vendim u mor në mënyrë konsensuale me të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare, në mbledhjen koordinuese, si shenjë solidariteti pas tragjedisë në Koçan dhe për të shprehur respektin për viktimat. Megjithatë, puna e Kuvendit dhe deputetëve vazhdon në format e tjera të zakonshme, përfshirë koordinimin mes deputetëve dhe grupeve parlamentare, angazhimin në përgatitjen dhe rishikimin e propozimeve ligjore, si dhe takime në nivele të ndryshme. Deputetët janë aktiv dhe të përkushtuar në proceset legjislative. Çdo artikulim që supozon se ata po bëjnë pushim, është një akuzë e pavend që përfaqëson tendecnë për të manipuluar opinionin dhe për të dëmtuar reputacionin e Kuvendit dhe përfaqësuesve të popullit”, thonë nga Kuvendi.

Sloboden Peçat dje raportoi se pyetjet e dyfishta të deputetëve e shtynë edhe një javë punën e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare u pajtuan që më mirë të mos punohet se sa të ngrihen më tej tensioni dhe të ulet rejtingu i Kuvendit pas tragjedisë së Koçanit ku humbën jetën 59 të rinj në diskotekën Pulse. Kuvendi ndërpreu punën javën e kaluar kur u shpallën shtatë ditë zie. Sipas marrëveshjes, thonin burime të Sloboden Peçat, deputetët do të paraqiten në punë javën e ardhshme.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.