RMV, pesë ekipe inspektimi kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe tubime

Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miterva njoftoi sot se pesë ekipe inspektuese janë në terren, duke kontrolluar objektet për festime dhe tubime të mëdha, transmeton Portalb.mk. “Nëse deri më tani kemi folur për kontrolle të kryera dhe të përfunduara dhe kemi paraqitur shifrat në detaje, sot dua të theksoj se si formalisht, ligjërisht dhe administrativisht është […]

Mars 26, 2025 - 19:00
 0  5
RMV, pesë ekipe inspektimi kryejnë verifikime në objektet e destinuara për ahengje dhe tubime
Diskoteka Pulse, foto nga Facebook-u i tyre

Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miterva njoftoi sot se pesë ekipe inspektuese janë në terren, duke kontrolluar objektet për festime dhe tubime të mëdha, transmeton Portalb.mk.

“Nëse deri më tani kemi folur për kontrolle të kryera dhe të përfunduara dhe kemi paraqitur shifrat në detaje, sot dua të theksoj se si formalisht, ligjërisht dhe administrativisht është proceduar plotësisht i gjithë dokumentacioni i nevojshëm lidhur me të gjitha inspektimet e fundit. E gjithë procedura ka përfunduar në formën e një raporti zyrtar dhe është dorëzuar në institucionet kompetente”, tha Miteva.

Me këtë, tha ajo, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka përfunduar edhe zyrtarisht edhe ligjërisht pjesën e parë të procesit në kohë rekord.

“Së dyti, ju bëj me dije se nga sot pesë ekipe inspektuese janë aktive në terren dhe po kryejnë inspektime në objektet e destinuara për festime dhe tubime të mëdha, siç e kemi njoftuar tashmë. Këto inspektime janë fokusuar në kontrollin nëse objektet plotësojnë kërkesat minimale teknike të kërkuara me ligj. Në ditët në vijim presim një raport të ri nga ky kontroll, i cili do të japë një pasqyrë më të qartë të niveleve të përputhshmërisë dhe të gjitha masat e nevojshme korrigjuese që do të duhet të ndërmerren”, tha Miteva.

Kontrollet e intensifikuara vijnë pas tragjedisë në Koçan.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.