Lista Serbe reagon, pasi Konjufca deputetëve të saj ua ndaloi pjesëmarrjen në seancë
Lista Serbe ka reaguar pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërprerë sot seancën e Kuvendit dhe ka kërkuar nga deputetët e kësaj liste që ta lëshojnë sallën. Në reagimin e saj Lista Serbe dënon veprimin e kryeparlamentarit Konjufca dhe deputetëve të LVV ndaj deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës të
Lista Serbe ka reaguar pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërprerë sot seancën e Kuvendit dhe ka kërkuar nga deputetët e kësaj liste që ta lëshojnë sallën.
Në reagimin e saj Lista Serbe dënon veprimin e kryeparlamentarit Konjufca dhe deputetëve të LVV ndaj deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës të cilët “penguan të zgjedhurit e popullit serb të jenë të pranishëm në seancën e Kuvendit”.
“Ky sulm i paprecedentë është disfatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe shembullin më të mirë të pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit, i cili çdo ditë pëson dhunë institucionale dhe terror fizik”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.
Lista Serbe ka kërkuar që lidhur me rastin e sotëm të reagojnë ambasadat e vendeve të QUINT-it, por edhe Bashkimi Evropian, OSBE dhe UNMIK-u.
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë tentuar që të pengojnë deputetët e Listës Serbe që të nënshkruhen, në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar provokim veprimin e deputetëve të Listës Serbe për t’u nënshkruar në sallë plenare, duke thënë se ata vijnë një herë në gjashtë muaj “për të keqpërdorur paratë e taksapaguesve” të Kosovës. Ai më pas ka ndërprerë seancën plenare më 5 dhjetor.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq. E keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca.
Deputetët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, që nga fundi i vitit 2022 janë tërhequr nga pjesëmarrja në seancat plenare. Atëbotë, nga institucionet e Kosovës në veri u tërhoqën punonjësit serbë, përfshirë policët, gjykatësit e prokurorët, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.
Këta deputetë nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” – siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës – por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.