LSDM do të paraqesë ligj për rritjen e pagave deri në 15.000 denarë për 400.000 punëtorë
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në Kuvend do të dorëzojë propozim për zgjidhje ligjore për ngritjen e pagave deri në 15 mijë denarë për 400 mijë punëtorë. Ky ligj, të cilin grupi parlamentar i LSDM-së thotë se do ta dorëzojë gjatë kësaj jave, do t’u ndihmojë edhe punëtorëve, edhe kompanive, transmeton Portalb.mk. “Punëdhënësit në sektorin […]


Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në Kuvend do të dorëzojë propozim për zgjidhje ligjore për ngritjen e pagave deri në 15 mijë denarë për 400 mijë punëtorë. Ky ligj, të cilin grupi parlamentar i LSDM-së thotë se do ta dorëzojë gjatë kësaj jave, do t’u ndihmojë edhe punëtorëve, edhe kompanive, transmeton Portalb.mk.
“Punëdhënësit në sektorin privat do të mund t’i rrisin pagat e punëtorëve të tyre për një shumë prej 3.000 deri në 15.000 denarë, pa pasur nevojë të paguajnë kontribute për atë pjesë të shtuar”, tha deputetja Sanja Lukarevska në konferencën e sotme për media ku shpjegoi ligjin që do ta dorëzojnë.
Sipas Lukarevskës, në zgjidhjen ligjore propozohet që kontributet për pensione, sigurime shëndetësore dhe sociale të ngrihen në mesataren e tri pagave të fundit që i janë paguar të punësuarit dhe kjo të vlejë për një periudhë prej një viti, që do të thotë, siç tha ajo, punëdhënësit nuk do të kenë ngarkesë shtesë financiare me rritjen e pagave.
Përjashtim, tha Lukarevska, mund ta marrin kompanitë që punëtorëve të tyre i paguajnë pagë neto që nuk është më e lartë se 65.380 denarë, dhe një rritje të tillë mund ta marrin rreth 400 mijë punëtorë.
“Nëse rritja mesatare e pagave është 7.500 denarë për 400.000 punëtorë, atëherë rritja totale e pagave në nivel vendi do të ishte 585 milionë euro. Më në detaje, 400.000 punëtorë të cilët do të merrnin nga 7.500 denarë mesatarisht për 12 muaj, do të ishin 36 miliardë denarë ose 585 milionë euro, që janë të ardhur shtesë për qytetarët në vit”, tha Lukarevska.
Me këtë, sipas Lukarevskës, edhe pse punëdhënësit nuk do të paguajnë kontribute për këtë rritje, ata do të paguajnë tatim personal prej 10 përqind, që do të thotë se në buxhetin e shtetit do të derdhen 58,5 milionë euro të hyra shtesë nga tatimi në të ardhura personale.
Lukarevska i bëri thirrje shumicës parlamentare dhe Qeverisë që ta përkrahin këtë ligj, i cili sipas saj nuk është çështje politike, por çështje e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Nëse qeveria e refuzon këtë ligj, do të thotë se kundërshton me vetëdije rritjen e pagave dhe përmirësimin e situatës ekonomike. Presim përgjegjësi, presim mbështetje dhe presim që të gjithë deputetët në Kuvend të qëndrojnë prapa interesave të qytetarëve”, shtoi Lukarevska.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare doli poashtu dje me qëndrim duke kërkuar dhe mbështetur rritjen pagës minimale deri në 500 euro, pasi siç tha nënkryetarja e partisë Kaja Shukova, çmimet po rriteshin disa herë më shpejt se pagat.
Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2024, paga minimale në vend është 22.567 denarë (367 euro) në vlerë neto, gjegjësisht 33.352 denarë në vlerë bruto.