LSDM: Gjykata Kushtetuese të mos bjerë nën presion politik, të vendosë në përputhje me kushtetutën

Gjykata Kushtetuese, si organ i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, duhet të marrë vendime të bazuara juridikisht, transparente dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut pa presione dhe ndikime politike, thuhet në reagimin e LSDM-së, transmeton Portalb.mk. “Ne dënojmë fuqishëm politizimin dhe manipulimin e çështjeve të ndjeshme, të cilat kanë potencial […]

dhjetor 11, 2024 - 14:00
 0  4
LSDM: Gjykata Kushtetuese të mos bjerë nën presion politik, të vendosë në përputhje me kushtetutën

Gjykata Kushtetuese, si organ i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, duhet të marrë vendime të bazuara juridikisht, transparente dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut pa presione dhe ndikime politike, thuhet në reagimin e LSDM-së, transmeton Portalb.mk.

“Ne dënojmë fuqishëm politizimin dhe manipulimin e çështjeve të ndjeshme, të cilat kanë potencial të prishin stabilitetin e shtetit dhe të sfidojnë bashkëjetesën. Kjo praktikë e nxitjes së tensioneve, siç e kemi parë nga disa aktorë politikë, nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve, por përkundrazi i thellon ato. Përgjegjësia për të ardhmen e vendit tonë është e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të abuzojë me ligjin për përdorimin e gjuhëve për interesa të ngushta partiake”, thonë nga LSDM.

Ata shtojnë se çdo ndryshim në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“LSDM, është i mendimit se të gjitha zgjidhjet ligjore duhet të jenë të qarta, të zbatueshme dhe në përputhje me standardet evropiane, por edhe në frymën e multikulturalizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. LSDM do të vazhdojë të avokojë për një shoqëri multikulturore, evropiane dhe demokratike, në të cilën të drejtat e të gjithë qytetarëve do të mbrohen maksimalisht, dhe ligjet do të zbatohen në përputhje me standardet më të larta ligjore dhe demokratike”, shtojnë nga LSDM.

Ata u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që të jenë konstruktive në këtë proces, për të ruajtur stabilitetin dhe besimin ndëretnik.

Kujtojmë se pas diskutimeve të gjykatësve kushtetues, gjykata votoi që të mbahet seancë përgatitore me qëllim dëgjimin e shumë palëve, ekspertëve juridik në këtë rast, që mund të shprehin këndvështrime të ndryshme rreth Ligjit në fjalë. Tani për tani, nuk dihet data e saktë për mbajtjen e seancës përgatitore.

Gjykatësja Elizabeta Dukoska ka kërkuar seancë përgatitore, ku do të ftohen ekspertë nga jashtë dhe do të shqyrtohen në detaje të gjithë pjesët e Ligjit për Gjuhët, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike.

Sipas kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski propozimi duhet pranuar për ta bind opinionin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Nga ana tjetër gjykatësja Dobrilla Kacarska është shprehur kundër këtij lloji të seancës, sepse, sipas saj, gjykata është ajo që duhet ta thotë fjalën përfundimtare, sepse është çështje juridike dhe jo mendim për ndonjë lëmi tjetër.

Ana Pavllovska Daneva ka përkrahur propozimin që të ketë seancë përgatitore. “Unë jam 20 vjet eksperte e Kushtetutës, por ka fusha që unë s’i di, dhe nuk është negative nëse kemi rastin të dëgjojmë edhe profesorë tjerë të Kushtetutës dhe t’i dëgjojmë argumentet e tyre. Fundja, jemi gjykatë dhe duhet t’i dëgjojmë të dy anët. Pse mbahen seancat përgatitore? Për t’i dëgjuar dy anët”.

Seanca e Gjykatës Kushtetuese ka nisur në mungesë të dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Në fillim te seancës gjykatësi Fatmir Skender ka kërkuar që seanca të shtyhet për dy javë, ku prezent do të jenë edhe dy gjykatësit shqiptarë dhe përbërja e gjykatës do të jetë e plotë.

Propozimi i gjykatësit Skender është votuar kundër, ky i fundit ka lëshuar seancën, ndërsa ajo vazhdoi pa prezencën e tij.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.