LSDM paralajmëroi kallëzim penal për deputeten Saliu – Fetai, kabineti i Gashit: Deputetja ka vepruar sipas Rregullores

Grupi parlamentar i LSDM-së ka paralajmëruar kallëzim penal kundër deputetes Imerlije Saliu Fetai nga koalicioni VLEN, e cila gjatë kryesimit të seancës së komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini, nuk pranoi kërkesën e LSDM-së për plotësim të rendit të ditës, përkatësisht për propozimin që rendi i ditës të plotësohet me propozim ligjin për […]

Mars 15, 2025 - 16:00
 0  4
LSDM paralajmëroi kallëzim penal për deputeten Saliu – Fetai, kabineti i Gashit: Deputetja ka vepruar sipas Rregullores
Imerlije Saliu, deputete, foto: Fejsbuk.

Grupi parlamentar i LSDM-së ka paralajmëruar kallëzim penal kundër deputetes Imerlije Saliu Fetai nga koalicioni VLEN, e cila gjatë kryesimit të seancës së komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini, nuk pranoi kërkesën e LSDM-së për plotësim të rendit të ditës, përkatësisht për propozimin që rendi i ditës të plotësohet me propozim ligjin për branitellat. Deputeti Oliver Spasovski deklaroi për mediat pas përfundimit të seancës se, Fetai, me këtë ka bërë shkelje të ashpër të rregullores së Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Më konkretisht, ai tha se, Fetai ka shkelur nenin 131 me çka ka shkelur Rregulloren, me atë që nuk ka lejuar të hapet debat për propozim rendin e ditës dhe nuk ka lejuar mundësinë për ndryshim dhe plotësim të rendit, me sqarimin se, kryeparlamentari Afrim Gashi, ka caktuar rendin e ditës dhe nuk ka nevojë të konstatohet rend dite nga ana e anëtarëve të komisionit.

“Ne paralajmërojmë se, do të marrim masa konkrete ligjore, gjegjësisht do të dorëzojmë kallëzim penal kundër kryesueses së Komisionit, Imerlije Fetai-Saliu, për shkelje të rëndë të Rregullores së Punës dhe shkelje të rëndë të të drejtave të deputetëve. Njëkohësisht do të paraqesim iniciativë edhe në Gjykatën Kushtetuese me të cilën do të kërkojmë që të konstatohet shkelja e të drejtës së deputetëve të cilëve sipas Rregullores u është pamundësuar të vendosin dhe propozojnë ndryshime dhe plotësime të rendit të ditës. Në nenin 131 të Rregullores së punës thuhet se “rendi i ditës së seancës së trupit punues përcaktohet në fillim të seancës”, deklaroi Spasovski.

Por, nga kabineti i kryeparlamentarit kanë reaguar duke thënë se, të gjitha procedurat janë ndjekur rreptësisht në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.

“Imerlije Saliu Fetai nuk është kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ajo ka kryesuar një pikë të caktuar të rendit të ditës së Komisionit, me autorizim nga kryetari i Kuvendit, në përputhje të plotë me nenin 126, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit. Roli i saj në këtë seancë ishte thjesht procedural dhe i kufizuar vetëm në këtë pikë specifike të rendit të ditës”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit.

Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, më 14 mars mbajti seancën e pare pas disa muajve që ishte i bllokur dhe në rend dite të së cilës kishte vetëm një pikë – Propozim ndryshimet e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invaliudor, me procedurë të shkurtër.

Deputetët e LSDM-së opozitare kërkuan plotësimin e rendit të ditës me Ligjin për të Drejtat e branitellave, por kryesuesja e Komisionit, deputetja Imrlije Saliu-Fetai, theksoi se është caktuar për ta udhëhequr këtë seancë të Komisionit me vetëm një pikë të rendit të ditës.

Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.