LSDM: Qeveria t’i publikojë faturat e restoranteve për të parë se kush ka shpenzuar dhjetëra mijëra euro për ushqim
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e vlerëson si tronditëse përgjigjen e qeverisë se faturat e publikuara më parë nga partia opozitare janë nga bufetë që funksionojnë brenda ministrive dhe janë nga shërbimet e paguara nga punonjësit, dhe jo faturat për drekat e ministrave, transmeton Portalb.mk. “Gënjeshtra skandaloze nga Qeveria – zhvendosja e përgjegjësisë te punonjësit, […]


Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e vlerëson si tronditëse përgjigjen e qeverisë se faturat e publikuara më parë nga partia opozitare janë nga bufetë që funksionojnë brenda ministrive dhe janë nga shërbimet e paguara nga punonjësit, dhe jo faturat për drekat e ministrave, transmeton Portalb.mk.
“Gënjeshtra skandaloze nga Qeveria – zhvendosja e përgjegjësisë te punonjësit, a hëngrën në kurriz të shtetit!?”, thuhet në deklaratën e sotme nga LSDM-ja.
Sipas LSDM-së, pyetja që duhet të përgjigjet është se sa punonjës kanë ngrënë dhe pirë me shpenzime shtetërore apo “bëhet fjalë vetëm për ministra dhe kabinetet e ministrave?”
“Përveç këtyre shpenzimeve, a kanë ngrënë ministrat edhe dreka në restorantet që furnizojnë bufet në ministri? Sa është kjo kosto totale?” janë disa nga pyetjet që po bëhen sot nga LSDM-ja.
Prandaj, ata kërkojnë që Qeveria të publikojë urgjentisht faturat dhe llogaritë e detajuara që zotëron, në mënyrë që të përcaktohet nëse dhe cilët punonjës kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për ushqim, apo, siç thonë ata, këto shpenzime janë bërë nga ministrat në kafene.
“VMRO-DPMNE e ka humbur plotësisht lidhjen me realitetin. Pasi shpenzuan 35 mijë euro për mango dhe papaja, tani po i shpenzojnë ato në restorante për dreka dhe gosti. Nëse janë të ndershëm, le të dalin publikisht me llogari të detajuara”, thonë nga LSDM.
Dje, LSDM njoftoi në një konferencë për shtyp se në katër muajt e parë të këtij viti, zyrtarët qeveritarë shpenzuan mbi 30 mijë euro në restorante të shtrenjta të Shkupit. Ata gjithashtu theksuan se gostitë, drekat dhe darkat paguheshin nga pothuajse të gjithë ministrat.
Siç tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, llogaritë janë tronditëse dhe janë të disponueshme publikisht në “Financa të Hapura”.
Më vonë, Qeveria dha një përgjigje, duke deklaruar se shpenzimet e drekave të paraqitura nga LSDM si shpenzime të supozuara të ministrave janë në të vërtetë të ardhura nga bufet që funksionojnë brenda ministrive, shërbimet e të cilave përdoren dhe paguhen gjithashtu nga punonjësit e këtyre institucioneve.