Pushteti s’e merr fajin për rënien në Indeksin e Lirisë së Medias, opozita ia kujton ku ishte RMV-ja para 8 vitesh
Partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut e kanë shfrytëzuar raportin Reporterëve pa Kufij, për të akuzuar njëra tjetrën se cila ka kontribuar më shumë në rënien në Indeksin e Lirisë së Medias. Ndërkaq, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e ka cilësuar raportin si tregues i vërtetë i nevojës për reforma në […]


Partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut e kanë shfrytëzuar raportin Reporterëve pa Kufij, për të akuzuar njëra tjetrën se cila ka kontribuar më shumë në rënien në Indeksin e Lirisë së Medias. Ndërkaq, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e ka cilësuar raportin si tregues i vërtetë i nevojës për reforma në sektorin mediatik. RMV ka shënuar rënie me 6 vende, nga vendi i 36 në të 42-tin në Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij (RSF), shkruan Portalb.mk.
VMRO- DPMNE, edhe pse është pjesë e qeverisë, madje me disa ministra që nga qeveria teknike e votuar më 28 janar, 2024, për rënien në Indeksin e Lirisë se Medias e fajëson LSDM-në.
“Fabrika kryesore për lajme të rreme dhe dezinformata, në mungesë të politikave konstruktive, janë LSDM dhe Venko Filipce, për të cilat ata si parti kanë bindje për këtë, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së në pushtet. Një shembull i lajmeve të rreme është njoftimi për media dhe konferenca e fundit për media. Ata pretendojnë se ministrat dhanë disa mijëra euro për dreka, dhe në thelb institucionet e mohuan këtë, duke thënë se këto ishin pagesa për një operator restoranti për shërbimet ushqimore të përdorura dhe të paguara nga punonjësit e ministrisë. Lufta kundër lajmeve të rreme është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë aktorëve shoqërorë. Ju kujtojmë se LSDM është financuesi dhe mbrojtësi kryesor i lajmeve të rreme dhe botës që kjo parti mban. Kjo është gjithashtu pasojë e mungesës së politikave dhe propozimeve që do të ishin një faktor konstruktiv në shoqëri. LSDM është sinonim i paaftësisë, tradhtive dhe krimit”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut, kujtoi se, për herë të parë pas 8 vitesh, Maqedonia ka rënë me 6 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave 2025, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
“Pas tetë vjetësh përparimi të qëndrueshëm nën udhëheqjen e qeverive të LSDM-së, një rënie kaq drastike po ndodh për herë të parë. Nga vendi i 118-të në vitin 2016, me LSDM-në, Maqedonia ka avancuar në vendin e 36-të, vendi më i mirë në rajon, falë politikave të përkushtuara për lirinë e fjalës, transparencën dhe pavarësinë e medias”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në konferencë për media.
Sipas saj, “DPMNE është rikthyer – liria e medias është zhdukur. Sa herë që VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e medias shtypet, gazetarët janë nën presion dhe hapësira mediatike ngushtohet. Sot po ndodh përsëri.”
Nga partia “E Majta” thonë se situata e tanishme me mediat kujton “gruevizmin”. “Indeksi i ‘Reporterëve pa Kufij’ pohon se ‘zyrtarët qeveritarë kanë tendencë të kenë qëndrime të këqija dhe poshtëruese ndaj gazetarëve’, si dhe ndaj gazetarëve që punojnë në një mjedis të keq dhe armiqësor. Një situatë që të kujton qëndrimin e shtetit ndaj medias gjatë epokës së Gruevizmit, kur vendi u rendit më keq në këtë indeks midis vendeve evropiane”, thuhet në kumtesën e partisë.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim gjendja me mediat përbën një tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
“Analiza e detajuar nxjerr në pah dobësi të mëdha – nga konteksti politik dhe korniza ligjore, deri te presionet ekonomike dhe siguria e gazetarëve. Ajo që shqetëson më shumë është se raporti identifikon qartë ekzistencën e disa sistemeve mediatike paralele, të lidhura drejtpërdrejt me qendra politike dhe ekonomike të pushtetit, të cilat ndikojnë në politikën redaktuese dhe minojnë besimin e qytetarëve. Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik”, thanë nga BDI.
BDI e rikujtoi Qeverinë se qëndrimi ndaj mediave është pasqyrë e drejtpërdrejtë e pjekurisë së një demokracie.
Nga VLEN ende nuk kanë dalë me reagim.
SHGM: Portretizim realist dhe të ekuilibruar të situatës, i cili tregon qartë sfidat ekzistuese dhe nevojën për reforma thelbësore
Gjetjet e Raportit, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, përfaqësojnë një sinjal të qartë për institucionet se reformat urgjente dhe të koordinuara janë të nevojshme për të forcuar sektorin mediatik dhe për të përmirësuar pozicionin e gazetarëve.
“Prioritetet kryesore duhet të jenë: Harmonizimi i legjislacionit nacional për median me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), për të siguruar një kuadër ligjor më koherent dhe transparent. Krijimi i një fondi për të mbështetur pluralizmin mediatik, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së gazetarisë profesionale. Të adresohen në mënyrë efektive të gjitha rastet serioze të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë zgjerimin e mekanizmave institucionalë përtej kryeqytetit. Futja e mbrojtjeve ligjore kundër abuzimit me paditë SLAPP, me qëllim mbrojtjen e gazetarëve që raportojnë në interes të publikut.
Kujtojmë se, ndryshimet në Ligjin për Media që i bëri Qeveria aktuale nuk janë krejtësisht pro-evropiane. Në analizën e fundit të Vërtetëmatësi-t, thuhet se ndryshimet janë ende vetëm harmonizim i pjesshëm me legjislacionin evropian, që nënkupton një zgjidhje të pjesshme. Ndërkaq, Fondacioni Metamorfozis, përmes një dokumenti publik ka vlerësur ndryshimet e propozuara, duke nënvizuar si përparimet ashtu edhe sfidat e vazhdueshme, dhe ka ofruar rekomandime për të siguruar lirinë gjithëpërfshirëse të mediave dhe përafrimin me direktivat e BE-së.