Polici i cili dje ishte i paqasshëm gjatë hetimeve të zgjeruara për Koçanin, sot është vetë-dorëzuar dhe sjellë në Gjykatë
Polici i cili dje ishte i padisponueshëm për organet e rendit dhe që është pjesë e shtatë policëve që zgjeruan hetimet për zjarrin në Koçan, sot është paraqitur vetë në Prokurori,transmeton Portalb.mk. Siç njofton Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHO NKOK), zyrtari policor sot është para gjykatësit për procedurë paraprake. […]


Polici i cili dje ishte i padisponueshëm për organet e rendit dhe që është pjesë e shtatë policëve që zgjeruan hetimet për zjarrin në Koçan, sot është paraqitur vetë në Prokurori,transmeton Portalb.mk.
Siç njofton Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHO NKOK), zyrtari policor sot është para gjykatësit për procedurë paraprake.
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka urdhëruar dje masë sigurie për gjashtë policët për të cilët Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë paraprakisht kishte kërkuar këtë masë në kuadër të hetimeve të zgjeruara për zjarrin në Koçan.
Masat paraprake përfshijnë konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, ndalimin e daljes nga vendbanimi, paraqitjen në gjykatë, ndalimin e kontaktit me të pandehurit/të dyshuarit e tjerë dhe ndalimin e ndërmarrjes së disa aktiviteteve të punës.
Përveç këtyre policëve, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë ka kërkuar që të caktohet masa e kujdesit ndaj zyrtarit policor i cili gjatë ditës së djeshme ka qenë i padisponueshëm.
Ndryshe, MPB dje ka ngritur kallëzim penal ndaj 10 personave, zyrtarë policor. Me kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, zyrtarët e kallëzuar i kanë mundësuar personit juridik “Klasik DM” DOOEL Koçan marrjen e licencës për kryerjen e veprimtarisë hotelierike – kabare “Pulse” në Koçan në mënyrë që nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe nuk kanë bërë kontroll të plotë para dhënies së pëlqimit pozitiv për dhënien e licencës së kabaresë, duke rrezikuar jetën dhe trupin e njerëzve në një vend ku grumbullohet një numër i madh njerëzish.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.