LSM e konsideron si joserioz dhe të paqëndrueshëm në plan afatgjatë propozimin për daljen në pension në moshën 67 vjeçare

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e vlerësoi seriozisht shqetësues propozimin e Këshillit Financiar për rritjen e kufirit për realizimin e të drejtës për pension pleqërie në 67 vjet. Pa vullnetin dhe nevojën e punëtorëve, vlerëson LSM, jeta e tyre e punës nuk mund të zgjatet dhe pensioni i merituar nuk mund të shtyhet si […]

dhjetor 3, 2024 - 20:00
 0  6
LSM e konsideron si joserioz dhe të paqëndrueshëm në plan afatgjatë propozimin për daljen në pension në moshën 67 vjeçare
Pensionistë. Foto: Portalb.mk

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e vlerësoi seriozisht shqetësues propozimin e Këshillit Financiar për rritjen e kufirit për realizimin e të drejtës për pension pleqërie në 67 vjet. Pa vullnetin dhe nevojën e punëtorëve, vlerëson LSM, jeta e tyre e punës nuk mund të zgjatet dhe pensioni i merituar nuk mund të shtyhet si mbulesë e politikave të këqija për një kohë të gjatë në të kaluarën, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, në një deklaratë për MIA-në, propozimin e Këshillit Fiskal e vlerësoi si të paarsyeshëm dhe tha se masat e tilla të nxituara janë të paqëndrueshme në afat të gjatë.

“Nëse anëtarët e Këshillit Fiskal duan të ndihmojnë në arnimin e buxhetit në fondin pensional, ndoshta duhet të fillojnë të paguajnë kontributet e detyrueshme shoqërore për të gjitha të ardhurat e tyre, gjë që do të jetë shembull për të tjerët!”, thotë Trendafilov.

Sipas kryetarit të LSM-së, nevojiten masa për rritjen e punësimit të të rinjve përmes vendeve të punës reale dhe të qëndrueshme si pasojë e investimeve të reja vendase apo të huaja dhe rritjes së pagave, e me këtë edhe rritje të mjeteve në Fondin e Sigurimeve Pensionale. Që të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në vend, siç thotë Trendafilov, është e nevojshme të futen masa për punë të denjë me respektimin e të drejtave të punës sipas standardeve ndërkombëtare të punës.

Sindikata kërkon gjithashtu angazhim për shndërrimin e punës së padeklaruar në të regjistruar, si dhe angazhimin e inspektimit dhe organeve të tjera shtetërore për mbledhjen e plotë të kontributeve sociale.

“Për shkak të punës së padeklaruar, shteti humbet 250 milionë euro në vit, të cilat mbeten në xhepat e shefave. Vetëm në këtë mënyrë fondet sociale mund dhe do të bëhen reale dhe të qëndrueshme dhe do të jenë mbrojtje dhe siguri reale për punëtorët dhe qytetarët në kushtet e sëmundjes, pleqërisë, papunësisë”, thotë Trendafilov.

LSM kërkon vendosjen e më shumë kushteve për daljen në pension si pensioni pas plotësimit të 40 viteve përvojë pune për burrat dhe 35 vjet përvojë pune për gratë, pensioni i parakohshëm, shërbimi i përfituar për punëtorët e ndërtimit dhe në aktivitetet ku detyrat e punës zhvillohen në kushte veçanërisht të vështira që janë të dëmshme në lidhje me jetën dhe shëndetin e punëtorëve, pensionin e pleqërisë – sipas moshës ose kohëzgjatjes së shërbimit – sipas veprimtarisë, pensioni i parakohshëm i pleqërisë sipas moshës, pensioni jo i plotë i pleqërisë sipas moshës, ofrimi i mundësisë së përvojës shtesë të punës.

Kujtojmë se Këshilli Fiskal, një institucion shtetëror i krijuar nga Kuvendi, propozoi rritjen e moshës së pensionit në 67 vjeç si pjesë e opinionit për Strategjinë Fiskale (2025-2029). Ky propozim, i paraqitur në legjislativ, kërkon që ndryshimi të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe të zbatohet për burrat dhe gratë.