RMV, qytetarëve u bëhet sërish thirrje që deri në fund të vitit të ndërrojnë patentë shoferët e vjetër

Afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues të shtetit zgjat deri më 31 dhjetor, rikujton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe u bën thirrje qytetarëve që të ndërrojnë në kohë patentë shoferët për të mos krijuar turma të panevojshme, transmeton Portalb.mk. “Vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues, […]

dhjetor 3, 2024 - 20:00
 0  5
RMV, qytetarëve u bëhet sërish thirrje që deri në fund të vitit të ndërrojnë patentë shoferët e vjetër
Patentë shoferi, leje për vozitje

Afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues të shtetit zgjat deri më 31 dhjetor, rikujton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe u bën thirrje qytetarëve që të ndërrojnë në kohë patentë shoferët për të mos krijuar turma të panevojshme, transmeton Portalb.mk.

“Vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues, në përputhje me ndryshimin në ligjin për sigurinë në komunikacion, përfundon më 31 dhjetor 2024. Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ende patentë shofer me emrin e vjetër kushtetues që të rinovojnë patentë shoferin deri në fund të afatit, për të mos krijuar turma të panevojshme”, thuhet në thirrjen e MPB-së.

Nga aty bëjnë me dije se të gjitha kapacitetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sportelet e shërbimeve administrative funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për ndërrimin e patentë shoferëve në afatin e rregullt, pa vonesa.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha muajin e kaluar se rreth 200.000 qytetarë duhet t’i ndërrojnë patentë shoferët me “Republika e Maqedonisë” me dokumente të tilla me emrin e ri kushtetues.

Me makinerinë e re për printimin e dokumenteve personale, e cila është vënë në funksion në Ministrinë e Brendshme, ministri thotë se këto leje mund të printohen jo më shumë se 20 ditë.

“Për 20 ditë mund të printojmë dhe personalizojmë të gjitha patentë shoferët që nevojiten nëse qytetarët paraqesin kërkesë për zëvendësimin e dokumenteve. Ne kemi siguruar formularët të cilët, ndryshe nga më parë kur nuk kishte. Nuk ka më pritje që qytetarët të mund të hyjnë për të bërë fotografi dhe për ta përfunduar atë punë”, tha Toshkovski.

Ministri ka theksuar gjithashtu se nëse patentë shoferët nuk kanë skaduar, zëvendësimi i tyre nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve në pjesën që i paguhet shtetit për prodhimin e patentë shoferit.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.