LSM: Vetëm qeveria mund të ndikojë te tregtarët që të ulin çmimet në RMV
Thirrjet e reja për bojkot të marketeve po shpërndahen këto ditë në rrjetet sociale, pasi javën e kaluar u bojkotua për herë të parë për çmimet e larta. Ju bëhet thirrje qytetarëve që të përmbahen nga blerjet, ndërsa aksioni quhet “E premtja e zezë” për marketet. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), si dhe Organizata […]
Thirrjet e reja për bojkot të marketeve po shpërndahen këto ditë në rrjetet sociale, pasi javën e kaluar u bojkotua për herë të parë për çmimet e larta. Ju bëhet thirrje qytetarëve që të përmbahen nga blerjet, ndërsa aksioni quhet “E premtja e zezë” për marketet. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), si dhe Organizata e Konsumatorëve (OKM), ndonëse nuk janë organizatorë të bojkotit, përkrahin qytetarët për t’u dhënë sinjal tregtarëve se popullata ka fuqi dhe mund të kontribuojë në uljen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Ivan Peshevski, nënkryetar i Këshillit të LSM për sektorin privat, thotë se vetëm Qeveria mund të ndikojë tek tregtarët dhe pronarët e tregut për uljen e çmimeve dhe zgjidhjen e problemit në afat të gjatë.
“Qeveria është punëdhënësja e 138 mijë të punësuarve në sektorin publik. Ajo duhet të dijë t’i vendosë gjërat në rregull, në asnjë rrethanë nuk mund të fajësohen qytetarët për këtë situatë. Buka nesër mund të kushtojë 300 denarë dhe do të jemi të detyruar ta blejmë sepse është produkt ushqimor bazë. Qëndrimi i LSM-së ka qenë gjithmonë që të ofrojë mbështetje për qytetarët dhe të gjithë ata që preken nga statusi i tyre socio-ekonomik. Të mos ketë bojkot vetëm të premteve në markete, por të ketë bojkot çdo ditë, sepse nuk mjaftojnë të ardhurat e njerëzve. Jeta është shumë e shtrenjtë dhe pagat nuk mjaftojnë për të jetuar. Shumë qytetarë nuk bëjnë pazar edhe pa i thirrur ne sepse nuk kanë para për të hyrë në market”, thotë Peshevski.
Ai thotë për Meta.mk se LSM i inkurajon qytetarët që të mos blejnë.
“Të gjithë zinxhirët e mëdhenj të marketeve mashtrojnë ligjet. Marzhet janë më të larta se sa parashikohen me ligj. Nuk guxon të jetë kështu”, ka shtuar Peshevski.
Sipas të dhënave të fundit, vlera e shportës minimale sindikale për muajin janar 2025 është 63.252 denarë, ndërsa në dhjetor ka qenë 62.861 denarë, përkatësisht vetëm për një muaj ka rritje prej 391 denarë. Me një apartament me qira prej 60 metrash katrorë, për muajin janar, shporta është 78.627 denarë.
Për ushqime dhe pije në shportën minimale sindikale për janar është 23.198 denarë, ndërsa në janar 2024 ka qenë 21.007 denarë.
Bojkotin e paralajmëruar e përkrah edhe Organizata e Konsumatorëve. Tatjana Tasevska, këshilltare juridike në OKM, thotë se edhe pse kjo organizatë nuk është organizatore e bojkotit, ata kanë përkrahur çdo iniciativë civile.
“Si të premten e kaluar dhe këtë të premte ne mbështesim bojkotin, sepse kështu dërgojmë një sinjal se konsumatorët kanë fuqi, se ata janë një forcë dhe mund të kontribuojnë në uljen e qarkullimit dhe se është koha që tregtarët dhe pronarët e marketeve të rishikojnë çmimet e produkteve, t’i ulin ato dhe të vendosin çmime reale me marzhe reale, në mënyrë që popullata të përballojë jetesën. Mendoj se bojkoti i të premtes së kaluar pati efekt, dha një sinjal, ndaj një pjesë e madhe e tregjeve bënë aksione më të gjera, ulën çmimet dhe disa shpallën ngrirje. Por këto janë vetëm efekte afatshkurtra, fjalën përfundimtare duhet ta ketë Qeveria”, thotë Tasevska.
Ajo shton se Qeveria së bashku me sindikatat dhe sektorin e biznesit duhet të arrijnë të gjejnë masa afatgjata që do ta ndalin këtë rritje të çmimeve.
Javën e kaluar, në Kroaci, qytetarët bojkotuan dyqanet, zinxhirët e shitjes me pakicë dhe pikat e karburantit për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Nisma e ka origjinën nga grupi në Facebook “Alo, Inspektor”, dhe është mbështetur nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, sindikatat, partitë politike dhe madje edhe ministri i Ekonomisë. Në Kroaci, inflacioni vazhdon të rritet dhe vendi është ndër tre vendet e BE-së me inflacionin më të lartë. Një bojkot të ngjashëm ka pasur edhe në Mal të Zi.
Të premten, më 31 janar, qytetarët në RMV bojkotuan marketet. Rafte plot me produkte, por pa blerës, ose me shumë pak blerës. Kjo ishte tabloja në disa tregje ditën e bojkotit të popullsisë që synohej në tregjet zinxhir, për shkak të çmimeve të larta të produkteve dhe pamundësisë për të përballuar rritjen e çmimeve. Qytetarët iu përgjigjën thirrjes për bojkot, duke u thënë pronarëve të tregut se çmimet janë shumë të larta për standardet e tyre.