Viti akademik po përfundon, vauçerët për pajisje elektronike për studentët e RMV-së mbetën vetëm njoftime

Gjashtë muaj pas njoftimit për ndarjen e vauçerëve prej 250 eurosh (15.000 denarë) për pajisje elektronike për studentët, Qeveria ende nuk i ka bërë të ditur detajet e zbatimit të kësaj mase, duke i lënë studentët pa informacion konkret për kohën dhe mënyrën e ndarjes së mbështetjes së premtuar. Viti akademik në të cilin u […]

Prill 15, 2025 - 10:00
 0  3
Viti akademik po përfundon, vauçerët për pajisje elektronike për studentët e RMV-së mbetën vetëm njoftime
Foto: Meta.mk

Gjashtë muaj pas njoftimit për ndarjen e vauçerëve prej 250 eurosh (15.000 denarë) për pajisje elektronike për studentët, Qeveria ende nuk i ka bërë të ditur detajet e zbatimit të kësaj mase, duke i lënë studentët pa informacion konkret për kohën dhe mënyrën e ndarjes së mbështetjes së premtuar. Viti akademik në të cilin u shpall kjo masë ka hyrë në mesin e semestrit veror dhe studentët janë ende në pritje të mbështetjes financiare për blerjen e tabletëve, laptopëve, kompjuterëve dhe telefonave, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Njoftime pompoze për vauçerët për studentët

Në tetor të vitit 2024, në fillim të vitit të ri akademik, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të gjithë studentët në vend do të marrin vauçerë në vlerë prej 250 eurosh për blerjen e pajisjeve elektronike. Kryeministri e prezantoi këtë si pjesë të përpjekjeve të qeverisë për t’i mbajtur të rinjtë në vend.

Kjo masë deri diku ishte një befasi sepse nuk ishte pjesë e programit të punës gjatë fushatës së asnjë partie për zgjedhjet parlamentare, gjë që e bëri atë një gjest të papritur, por tërheqës dhe të mirëpritur nga studentët.

Koha e shpalljes së saj u zgjodh me shumë kujdes, pikërisht në fillim të vitit akademik, në një periudhë kur komuniteti akademik është më aktiv dhe çështjet studentore janë në fokus të publikut. Kjo e theksoi edhe më shumë peshën e këtij premtimi, duke lënë përshtypjen se realizimi do të ishte i shpejtë dhe efikas.

“Njoftoj se Qeveria në muajt e ardhshëm, përmes kritereve të qarta dhe një sistemi të qartë, do të ndajë vauçerë në vlerë prej 250 eurosh për pajisje elektronike, për të gjithë, e përsëris, për të gjithë studentët në vend, deri në studentin e fundit”, tha kryeministri Mickoski në fjalimin e tij me rastin e Konferencës së 33-të vjetore të Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së, e cila u mbajt në 6 tetor në Ohër.

Ky njoftim u përsërit qartë edhe disa herë në ditët në vijim – kryeministri e tha këtë edhe në Studio e hapur “100 ditë të Qeverisë“ që u transmetua më 7 tetor në RTVM 1, ndërsa më 9 tetor, zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva në një konferencë për media bëri të ditur se “ka filluar komunikimi“me kompanitë që do t’i japin vauçerët.

“Kemi ofruar dy projekte që besojmë se mund të shtojnë vlerë dhe të jenë një lloj provokimi. I pari është një vauçer prej 250 eurosh për blerjen e pajisjeve elektronike, mjete që do të sigurohen në buxheti për të gjithë studentët, në të gjitha universitetet. Kjo është pak më shumë se 50.000”, tha Mickoski më 7 tetor të vitit 2024.

“Të rinjve duhet t’u jepet vend qendror në vendimmarrje – ky është vizioni i Qeverisë gjatë miratimit të masave dhe politikave që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit jetësor. Për këtë Qeveria ka paraparë masa, përkatësisht vauçerë në vlerë prej 250 eurosh për studentët për pajisje elektronike”, tha Miteva më 9 tetor.

“Sa i përket kësaj, dua të njoftoj se Qeveria ka iniciuar komunikim me kompanitë në fushën e teknologjisë informatike, i cili duhet të finalizohet deri në fund të këtij viti dhe që do të rezultojë me përcaktimin e qasjes më të favorshme dhe përmes së cilës do të gjendet metodologjia më e mirë për shpërndarjen e mjeteve të siguruara financiare”, shtoi Miteva.

Sipas njoftimeve kjo masë do duhet t’i ndihmojë studentët në edukimin e tyre dhe ta lehtësojë komunikimin e tyre digjital, veçanërisht në një kohë kur burimet online janë gjithnjë e më të rëndësishme për mësimin dhe zhvillimin akademik.

“Pas finalizimit të bisedimeve me kompanitë e TI-së, kah fundi i këtij viti ne do të japim më shumë detaje rreth procesit, si dhe udhëzime për atë se si të rinjtë mund t’i maksimizojnë përfitimet e këtyre nga këto vauçerë,” theksoi zëdhënësja e qeverisë në muajin tetor.

Qeveria hesht dhe nuk jep një afat të qartë, duke i lënë studentët në pritje

Por, detaje nuk kishte as në fund të vitit të kaluar, e as në mesin e muajit të katërt të këtij viti nuk ka ndonjë lajm lidhur me këtë çështje.

Në muajin dhjetor nga Qeveria vetëm informuan se në buxhet janë siguruar mjetet prej 250 eurosh për blerjen e pajisjeve elektronike dhe sërish bënë të ditur se me këtë masë do të përfshihen të gjithë studentët. Nuk kishte asnjë informacion më shumë.

Njoftimi i fundit për këtë masë ishte i e kryetarit të Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së dhe deputetit Sergej Popov, i cili më 30 mars tha:

“Këtë vit nga buxheti i shtetit do ndajmë 30 milionë euro shtesë për të rinjtë. Një pjesë e këtyre mjeteve janë për ta ndihmuar këtë grup qytetarësh për të blerë pajisje elektronike. Për këtë qëllim do të ndahen vauçerë me vlerë prej 250 eurosh për blerjen e telefonave, kompjuterëve dhe tabletëve, pa të cilët në ditët e sotme është e vështirë të jesh student.

Duke pasur parasysh se semestri veror i vitit akademik po kalon, si dhe për shkak të mungesës së informacionit, Meta.mk më 7 prill iu drejtua Qeverisë me disa pyetje: pyetëm se kur do të fillojë zbatimi i kësaj mase; A do të kenë mundësi studentët që më në fund këtë semestër t’i përdorin vauçerët e njoftuar prej kohësh; Cili institucion do të jetë përgjegjës për ndarjen e tyre dhe ku mund të përdoren vauçerët.

Deri në këtë moment nga Qeveria nuk na dhanë përgjigje për asnjërën prej pyetjeve tona.

Në fillim të muajit dhjetor në po këto pytje nga Qeveria na thanë se detajet rreth këtij projekti do t’i bëhen të ditura publikut “në kohën e duhur”.

Sipas sinjaleve të deritanishme nga Qeveria, mjete financiare për zbatimin e masës për vauçerët studentorë ka, por nuk ka informacion konkret se kur do të mund të aplikojnë studentët dhe si do të ndahen vauçerët. Edhe krahas interesimit të madh të studentëve, Qeveria mbetet pa një përgjigje të qartë për afatin dhe mënyrën e realizimit.

Meta.mk kontaktoi edhe me disa organizata studentore dhe Parlamente Studentore Universitare për t’i pyetur nëse janë në komunikim me autoritetet lidhur me këtë masë të paralajmëruar prej kohësh, por të gjitha përgjigjet qenë negative. Nga Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (PSU UKM) dhe Trupi Nacional Studentor (TNS) thonë se për këtë çështje kanë kërkuar takim me kryeministrin Mickoski, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga kabineti i tij.