Maqedonia e Veriut sot ka nënshkruar marrëveshjen për të marrë 500 milionë euro kredi nga Hungaria
Ministrja për Financa në Maqedoninë e Veriut, Gordana Dimitrieska – Koçoska ka nënshkruar sot në Marrëveshjen që i siguron vendit 500 milionë euro kredi nga Hungaria për të paguar borxh evropian, transmeton Portalb.mk. “Pesëqind milionë euro mjete të favorshme janë siguruar nga Banka Eksport-Import e Hungarisë për servisimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve […]
Ministrja për Financa në Maqedoninë e Veriut, Gordana Dimitrieska – Koçoska ka nënshkruar sot në Marrëveshjen që i siguron vendit 500 milionë euro kredi nga Hungaria për të paguar borxh evropian, transmeton Portalb.mk.
“Pesëqind milionë euro mjete të favorshme janë siguruar nga Banka Eksport-Import e Hungarisë për servisimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve që do të maturojnë në muajin janar të vitit 2025, në bazë të euroobligacionit të emetuar në vitin 2018”, njoftoi ministrja.
Raportohet që huaja pritet të shlyhet për 15 vjet me një normë interesi prej 3.25 përqind, derisa euroobligacioni i ri do të ketë interes mbi 6 përqind.
“Kursimet bëhen edhe mbi bazën e shpenzimeve të provizioneve, të cilat për këtë hua janë rreth 50 mijë euro, përkundër shpenzimeve për emetimin e euroobligacionit që arritën edhe për mbi 1 milion euro”, nënvizoi ministrja e financave, duke saktësuar që kushtet e huasë janë të njëjta si ato të marrëveshjes së nënshkruar në muajin tetor.
Ndryshe, Banka Popullore e RMV-së njoftoi se më 30 qershor 2024 neto borxhi i jashtëm arriti në 4,481 milionë euro ose 30,8 për qind nga PBB-ja e parashikuar. Borxhi i jashtëm neto në tremujorin e dytë të vitit 2024 është rritur për 109 milionë euro ose 2,5 për qind. Nga aspekti i strukturës, borxhi neto privat vazhdon të ketë peshë më të madhe në totalin e borxhit neto me 64 përqind.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro. Me një borxh publik që i afrohet 9 miliardë eurove dhe një borxh të jashtëm bruto deri në 11,8 milionë euro, shteti me një zgjidhje ligjore siguroi terrenin për kredinë e re nga Hungaria në vlerë pre 500 milionë euro.