Me 1.5 milionë euro nga BE-ja do të përmirësohet kuadri ligjor për cilësinë e ajrit në RMV
Me mbështetjen e Programit IPA 2 të BE-së, në nëntor 2024 filloi zbatimi i projektit për harmonizimin e kuadrit ligjor për cilësinë e ajrit me rregulloret evropiane. Në kuadër të projektit dyvjeçar për të cilin Bashkimi Evropian ka siguruar fonde në shumë prej 1.5 milionë euro, do të transpozohen plotësisht direktivat evropiane (2008/50/EC, 2004/107/EC dhe 2016/2284/EC) […]
Me mbështetjen e Programit IPA 2 të BE-së, në nëntor 2024 filloi zbatimi i projektit për harmonizimin e kuadrit ligjor për cilësinë e ajrit me rregulloret evropiane. Në kuadër të projektit dyvjeçar për të cilin Bashkimi Evropian ka siguruar fonde në shumë prej 1.5 milionë euro, do të transpozohen plotësisht direktivat evropiane (2008/50/EC, 2004/107/EC dhe 2016/2284/EC) në legjislacionin kombëtar, domethënë do të plotësohet legjislacioni për ajrin, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), transmeton Portalb.mk.
“Në përputhje me direktivat, do të hartohet një ligj krejtësisht i ri për cilësinë e ajrit të ambientit dhe disa akte nënligjore, apo rregullore që do të ndjekin kërkesat e direktivave të BE-së, duke siguruar kështu një rregullim më të madh në këtë fushë. Gjithashtu do të përgatiten plane për zbatimin e direktivave për cilësinë e ajrit, duke përfshirë edhe implikimet fiskale për zbatimin e tyre”, thonë nga MMJPH.
Në kuadër të projektit, shtojnë më tej nga kjo ministri, do të hartohen dokumente planifikuese kombëtare për mbrojtjen e ajrit të ambientit që dalin nga Ligji për cilësinë e ajrit të ambientit, të cilat do të përcaktojnë dhe prioritizojnë masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit në bashkëpunim me institucionet kompetente.
“Në të njëjtën kohë, do të punohet për përmirësimin e inventarit kombëtar të emetimeve në ajër dhe përgatitjen dhe zbatimin e një plani për monitorimin e metaleve të rënda, hidrokarbureve aromatike policiklike dhe përbërjeve organike të avullueshme. Në përputhje me shtrirjen e shtuar të matjeve, do të krijohen zona dhe grumbullime për këto substanca. Njëkohësisht do të punohet për forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e tyre dhe në këtë mënyrë përmirësimin e cilësisë së ajrit”, thuhet në njoftimin e MMJPH-së.
Alarme të njëpasnjëshme nga raportet vendore dhe ndërkombëtare për ndotjen e ajrit
Në janar 2025 një raport i Euronews theksoi se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga ndotja e ajrit, që do të thotë se ka numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur.
Raporti i UNICEF-it në shtator 2024 tregoi se në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Banka Botërore në dhjetor 2024 raportoi se ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore.
Raporti i Institutit për Shëndet Publik i publikuar në 2024 nxori në pah se në 2023 pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në RMV mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.
Ndota e ajrit është përmendur vazhdimisht edhe nga BE-ja si problem kronik për RMV-në.
Shkupi shumë herë është radhitur në krye të listave të qyteteve më të ndotura në Evropë dhe Botë. Për shkak të ajrit të ndotur janë mbajtur edhe protesta.
Të gjithë këto alarmime nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në RMV të marrin masa urgjente për këtë problem.