Me krejt “të zezat” Dodik në Shkup mbajti fjalim kundër Bashkimit Evropian

Prezenca e politikanit kontravers serb, Millorad Dodik, kryetar i të ashtuquajturës Republika Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, në shënimin e “Shën Sava”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, ka ngjallur reagime në opinion, pasi ai nga Shkupi përcolli euroskepticizëm dhe ia bëri me dije RMV-së se do të duhet […]

Jan 28, 2025 - 21:00
 0  4
Me krejt “të zezat” Dodik në Shkup mbajti fjalim kundër Bashkimit Evropian

Prezenca e politikanit kontravers serb, Millorad Dodik, kryetar i të ashtuquajturës Republika Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, në shënimin e “Shën Sava”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, ka ngjallur reagime në opinion, pasi ai nga Shkupi përcolli euroskepticizëm dhe ia bëri me dije RMV-së se do të duhet ta mendojë rrugën drejt BE-së, shkruan Portalb.mk.

Politikani serb, i njohur për politikat e tij proruse, njëherazi i përfshirë edhe në Listën e Zezë Amerikane, e përdori Maqedoninë e Veriut si shembull të joparimitetit të Bashkimit Evropian.

“Ne jemi në rrugën evropiane, por shohim se është pikërisht ajo Evropa që është turpëruar më shumë në Maqedoninë e Veriut, e cila ka bërë shumë lëshime dhe ka fituar pak nga ajo Evropë. Dhe një ditë do të duhet të ndalemi dhe të mendojmë me kujdes nëse do të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha Dodik.

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, njëherazi edhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në RMV, nuk ka parë diçka provokative me prezencën e Dodikut, që do të mund të sillte reagime.

“Janë përfaqësues legjitim të popullit serb në rajon. Nuk i kam zgjedhur unë, i kanë zgjedhur votuesit aty ku jetojnë. Nuk e di pse do të mund të ishte problem. Nëse dikush mendon se unë do të distancohem nga vëllezërit e mi, gabon. Asnjëherë nuk kam pasur qëllim të distancohem nga njerëzit që përfaqësojnë popullin serb dhe kanë besimin e popullit aty ku jetojnë. Prandaj, janë dhe do të jenë mysafirë të mi, gjithmonë”, deklaroi Stoilkoviq.

Kryeministri Hristijan Mickoski para gazetarëve tha se presidenti i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik e keqpërdori akademinë solemne për “Shën Savën”.

“Në pjesën e përmbajtjes së fjalimit, që ka të bëjë me anti-BE, anti-NATO dhe të ngjashme, kategorikisht e hedh poshtë dhe absolutisht nuk pajtohem dhe me të vërtet nuk e kam pritur që do ta keqpërdorë atë ngjarje duke dërguar porosi të tilla, sepse gjithsesi ishte akademi solemne, e jo vend ku dërgohen porosi të këtilla politike”, tha Mickoski.

Reagime kundër Dodikut: Proksi lojtari i Putinit, i cili lavdërohet për masakrën çnjerëzore në Srebrenicë

Për prezencën e Dodikut dhe mesazhet të cilat i përcolli vet ai kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga aty thonë se “në ndërtesën që supozohet të të simbolizojë Marrëveshjen e Ohrit dhe harmoninë ndëretnike, u nderua Millorad Dodik, krahu i zgjatur i Putinit dhe njeri që punoi për ndarjen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe njeriu që lavdërohet për masakrën çnjerëzore në Srebrenicë”.

“Si është e mundur që njeriu i izoluar nga bota demokratike, që mbjell përçarje dhe urrejtje, të mirëpritet në mënyrë zyrtare nga një qeveri që pretendon se përfaqëson vlerat euroatlantike dhe paqen ndëretnike? Çfarë mesazhi po dërgon kjo qeveri tek qytetarët shqiptarë, tek familjet e viktimave të gjenocideve, tek ata që ende besojnë në drejtësi dhe dinjitet? Ky akt është një goditje e rëndë për Marrëveshjen e Ohrit. Prania e Dodikut aty është një shuplakë për viktimat e Srebrenicës, për shqiptarët dhe për çdo qytetar që beson në lirinë dhe barazinë. Është një mesazh që tregon se kjo qeveri përveç që pa legjitimitet, ka humbur edhe çdo ndjenjë respekti ndaj historisë dhe sakrificave tona”, shkruan në reagimin e BDI-së.

Për Aleancën për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës veprimi i djeshëm i pritjes zyrtare dhe deklaratave të lëshuara nga takimi me njeriun, siç thuhet në reagim, më anti-perëndimor të Ballkanit duhet të jetë alarmi më i fuqishëm për të gjithë qytetarët, subjektet politike dhe miqt tanë ndërkombëtar për atë se kah po e kthen shtetin Qeveria aktuale.

“Me Qeverinë e re Vlen-DPMNE, Maqedonia e Veriut nga një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, po shndërrohet në poligon të forcave sërbo-ruse. Nga Shkupi zyrtar dhe objektet e Qeverisë, dje Dodiku bashkë me ministrin e Qeverisë së RMV-së, Stoilkoviç, përcolli mesazhe anti perëndimore duke zyrtarizuar kështu orientimin e ri të vendit, drejt Sërbisë, Rusisë dhe izolimit”, thuhet mes tjerash në reagim.

Takimet e Dodikut në Maqedoninë e Veriut i ka komentuar edhe analisti politik Sefer Selimi.

“Këmbëkryq në mes të Shkupit zyrtar, me flamur të Republika Srpska, njeriu në listë të zezë amerikane dhe britanike, mbështetës dhe proksi lojtar i Putinit. I pritur me të gjitha nishanet e protokollet zyrtare! Aq…”, ka shkruar Selimi në rrjetin social Facebook mbi foton e takimit bilateral në mes Stoilkoviq dhe Dodik.

Kush është Dodik?

Millorad Dodik është përfaqësues i serbëve boshnjak nga Republika Srpska, njëra nga dy entitetet e Bosnje-Hercegovinës dhe sipas rrotacionit president i presidencës trevetëshe të vendit. Dodiku është një nacionalist ekstremist serb dhe lufton vetëm për ato që mendohet të jenë interesa serbe, duke mos marrë parasysh interesat e gjithë shtetit, e pa u kujdesur që të mos shkaktojë dëme tek të tjerët.

Dodik pretendon prej kohësh se gjenocidi i tmerrshëm në Srebrenicë, i konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, nuk ka ndodhur.

Më vitin 2017, Departamenti amerikan e ka vendosur në Listën e Zezë, Millorad Dodik, duke thënë se ai në mënyrë aktive po i pengon përpjekjet për implementim të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë Hercegovinë.