Taravari: Mickoski do t’i pranojë edhe amendamentet kushtetuese ashtu siç pranoi Korridorin 8 dhe Marrëveshjen e Prespës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë në Tv 21, tha se kryeministri Mickoski do t’i pranojë ndryshimet kushtetuese, ashtu siç bëri me Korridorin 8 dhe Marrëveshjen e Prespës, për të cilat edhe pse kishte rezerva dhe ishte kundër tyre, megjithatë i pranoi, transmeton Portalb.mk. “Ishte kundër Korridorit 8, sot Korridori 8 punohet më […]

Jan 28, 2025 - 21:00
 0  3
Taravari: Mickoski do t’i pranojë edhe amendamentet kushtetuese ashtu siç pranoi Korridorin 8 dhe Marrëveshjen e Prespës
Arben Taravari. Foto: Printscreen nga video e Tv 21

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë në Tv 21, tha se kryeministri Mickoski do t’i pranojë ndryshimet kushtetuese, ashtu siç bëri me Korridorin 8 dhe Marrëveshjen e Prespës, për të cilat edhe pse kishte rezerva dhe ishte kundër tyre, megjithatë i pranoi, transmeton Portalb.mk.

“Ishte kundër Korridorit 8, sot Korridori 8 punohet më fuqishëm se çdoherë tjetër. Më lejoni t’ju them, Marrëveshja e Prespës, ka pasur edhe aty kundërshtime, por sot ai e ka pranuar. Puna e tretë që duhet të bëjë z.Mickoski dhe shpresoj se do ta bëjë që ne të shkojmë drejt BE-së. Tani ka pasur zgjedhje në SHBA, mos harroni se ai ka miq të ngushtë që janë të afërt me Presidentin Trump. Në Bullgari nuk kishte qeveri deri një javë më parë, sepse që të lëvizin këto gjëra, duhet të kesh dikë nga pala tjetër për të negociuar. Pra, jam shumë i lumtur dhe i sigurt që z. Mickoski dëshiron dhe është i sigurt se ne duhet t’i fillojmë negociatat, por edhe ai kërkon disa garanci”, tha Taravari.

Kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar deklaratat e Arben Taravarit, tha se asnjëherë nuk ka qenë kundër Korridorit 8, por kundër Marrëveshjes së Prespës.

“Nuk kam qenë kundër Korridorit 8, po saktë kam qenë kundër Marrëveshjes së Prespës, po është e saktë, pasi dhunshëm u detyruan deputetët të votojnë për ndryshimet kushtetuese dhe pasi e gjithë kjo u bë realitet, që nga opozita para 4-5 viteve, thash se nuk mundemi ta injorojmë realitetin. Por asnjëherë nuk kam qenë kundër Korridorit 8. Ndryshe, nëse bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, kërkoj zgjidhje. Zgjidhje me dinjitet”, tha mes tjerash Mickoski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.