Mehmedoviq: Metapneumovirusi është i vjetër, të mos ngrihet panik se do të na ndodhë një pandemi e re si ajo e Kovidit

Nuk ka vend për panik, metapneumovirusi është virus i vjetër dhe nuk duhet të pritet që të jetë Covid-19 i ri, thotë në një deklaratë për MIA-në, zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive Zllate Mehmedoviq, transmeton Portalb.mk. “Virusi është i vjetër. Zakonisht qarkullon në muajt e dimrit. Nuk duhet të presim që ky do të […]

Jan 8, 2025 - 17:00
 0  4
Mehmedoviq: Metapneumovirusi është i vjetër, të mos ngrihet panik se do të na ndodhë një pandemi e re si ajo e Kovidit
Reparti i vaksinimit dhe këshillimorja për fëmijë/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024

Nuk ka vend për panik, metapneumovirusi është virus i vjetër dhe nuk duhet të pritet që të jetë Covid-19 i ri, thotë në një deklaratë për MIA-në, zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive Zllate Mehmedoviq, transmeton Portalb.mk.

“Virusi është i vjetër. Zakonisht qarkullon në muajt e dimrit. Nuk duhet të presim që ky do të jetë Covid-19 i ri dhe nuk duhet të kemi panik se kjo do të jetë diçka që do të përsëritet sërish – ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 2020 kur u përhap SARS-CoV-2”, thotë Mehmedoviq.

Ai tregon se nuk ka vaksinë për këtë virus dhe thekson se vdekshmëria prej tij është jashtëzakonisht e ulët, shumë më e ulët se ajo e gripit.

“Komplikimet nga ky virus janë jashtëzakonisht të rralla. Ato janë të zakonshme tek fëmijët nën dy vjeç ose te njerëzit me imunitet të komprometuar”, shtoi Mehmedoviq.

Simptomat janë si gripi – sekrecion, kollitja, teshtitja, temperaturë e trupit, dhimbje kyçesh. Metapneumovirusi zakonisht transmetohet përmes kontaktit të ngushtë, përmes prekjes së objekteve të kontaminuara dhe më pas prekjes së gojës, hundës, syve. Zakonisht jep simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, më rrallë simptoma të frymëmarrjes së poshtme.

Mehmedoviq informoi se për momentin nuk ka njoftim për mbledhje të Komisionit për Sëmundje Infektive.

Siç raportojnë mediat greke, rasti i parë i konfirmuar i metapneumonisë, pra virusit HMPV, është regjistruar në Greqinë fqinje. Mesazhet nga shkencëtarët kryesorë atje janë qetësuese – nuk ka vend për panik sepse është një virus i njohur.

Sipas transmetuesit kombëtar grek ERT, rasti është regjistruar në zonën e Selanikut tek një 71-vjeçar, i cili është shtruar dhe intubuar në spitalin “Papanikolu” me simptoma të pneumonisë.

Pacienti, siç shkruan “Kathimerini”, fillimisht është referuar në një klinikë private, por për shkak të seriozitetit të gjendjes është transferuar në spitalin “Papanikolu”, ku është intubuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sipas informacioneve të cituara nga gazeta greke, burri iu nënshtrua testimit, pas së cilës u diagnostikua me virusin HMPV, i cili aktualisht po rritet në Kinë dhe po trajtohet i izoluar.

Mediat greke raportojnë se burri me siguri është infektuar nga vajza e tij e cila ka qenë me pushime në Kinë për disa ditë. Pak ditë pasi ajo u kthye, shëndeti i babait të saj u përkeqësua.