Mes retorikës dhe realitetit: Pse po çalon diplomacia e Maqedonisë së Veriut?
A vlen apo flen diplomacia e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin drejt BE-së? Është çështja që shtrohet pas deklaratës së komisioneres së BE-së, për zgjerim, Marta Kos, e cila në intervistën e saj të fundit rastin e RMV-së në procesin eurointegrues e cilësoi si një histori të trishtueshme. VMRO-DPMNE qëndron në doktrinën e saj politike, […]


A vlen apo flen diplomacia e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin drejt BE-së? Është çështja që shtrohet pas deklaratës së komisioneres së BE-së, për zgjerim, Marta Kos, e cila në intervistën e saj të fundit rastin e RMV-së në procesin eurointegrues e cilësoi si një histori të trishtueshme. VMRO-DPMNE qëndron në doktrinën e saj politike, për të mos bërë kompromis me askënd, edhe përkundër pasojave politike, ndërkaq partneri i saj shqiptar në qeveri, VLEN edhe pse nisi me entuziazëm hyrjen në qeveri, reteroi në aspektin e eurointegrimeve. Ndërkaq, diplomacina e vendit, sipas ekspertit Ibraimi ka ngecur dhe është e paaftë, shkruan Portalb.mk.
Në Maqedoninë e Veriut, qeveritë shkojnë e vinë gojën plot eurointegrime e Bashkim Europian, por deri më sot, në vend të realizimit të ëndrrës europiane, vinë në shprehje historitë e këqija.
Qeveria e re, në përbërje VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, në lidhje me politikën e jashtme, ndjek qëndrimin e partisë më të madhe VMRO-DPMNE, e cila sipas programit partiak, është decide se shkon drejt Bashkimit Evropian.
“Qëllim kyç strategjik i qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE është që Maqedonia të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Maqedonia i përket Evropës ekonomikisht, gjeografikisht, historikisht, por edhe në aspektin kulturoror e civilizues”, kështu së paku precizohej në Platformën politike të partisë.
Tutje në agjendën e VMRO-DPMNE-së, thuhej: “Qeveria e ardhshme do të avokojë fuqimishëm për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme në mbështetje të progresit të vërtetë të procesit të integrimit evropian”.
Por, pse po ngecim, ku është sot VMRO-DPMNE në rrugëtimin eurointegrues?
Ndryshimet kushtetuese, që ishin obligim për qeverinë e mëparshme LSDM – BDI, i trashëgoi edhe qeveria e re e kryesuar nga VMRO-DPMNE, si nevojë e domosdoshme drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, për kryeministrin Mickoski, kushtet shtesë nuk e forcojnë Europën. Sipas tij, kushtet shtesë e dobësojnë kredibilitetin e BE-së, besueshmërinë e saj kolektive.
“Populli ynë, qytetarët krenarë maqedonas që unë përfaqësoj, e kanë ndjerë nga afër peshën e standardeve të dyfishta. Standardet që dëmtojnë besimin, zvogëlojnë entuziazmin dhe rrezikojnë të dobësojnë vetë frymën evropiane që ne përfaqësojmë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, në Samitin e Partive Popullore Evropiane, duke ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e RMV sa i përket porosive të Brukselit për ndryshime kushtetuese.
Ndryshe, programi politik i VLEN, në raport me procesin eurointegrues, nis saktësisht me atë që duhet, me ndryshimet kushtetuese:
“Koalicioni VLEN e ka bërë të qartë se qëndron fort për ndryshimet kushtetuese, edhe atë sa më shpejtë. Ndryshimet kushtetuese duhet të reflektojnë edhe kërkesat dhe interesat e shqiptarëve dhe të sjellin Kushtetutën në përputhje me realitetin dhe me demokracinë konsensuale”, shkruan në programin politik të VLEN.
Ku është sot VLEN në këtë “histori të trishtueshme”?
VLEN garantoi se brenda 6 muajve qeverisje do të bëhen ndryshimet kushtetuese. Zotimin në agjendën politike “sa më shpejtë” e konvertuan në 6 muaj. Deri më sot kanë kaluar 10 muaj. Për zotimin e deritanishëm të paplotësuar të koalicionit VLEN në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe mungesën e komunikimit më intensiv me qeverinë e re në Bullgari, ministri i Çështjeve Europiane Orhan Murtezani, kuadër i VLEN, në një nga paraqitjet e fundit televizive tha se procesi megjithatë do të jetë më i ngadalshëm se gjashtë muaj, duke nënvizuar se Maqedonia nuk e ka luksin të mbetet në dhomën e pritjes së BE-së.
“Nuk është se nuk ka përpjekje për të vendosur kontakte, por duke marrë parasysh qëndrimet tona dhe mungesën e ndonjë besimi, nuk është aq e lehtë të vendosësh kontakte drejtpërdrejt. Nuk është se nuk ka përpjekje, nuk është se nuk ka asnjë komunikim, qoftë edhe me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian, por ai proces, megjithatë do të jetë pak më i ngadalshëm nga ai që kemi kërkuar kohë prej gjashtë muajsh”, deklaroi Murtezani në intervistë në “Top Tema” në TV Telma.
Sa i përket protokolleve nga seancat ndërqeveritare, Murtezani tha se ato janë dokumente të detyrueshme dhe se pikërisht për këtë procesi duhet të jetë shumë më i kujdesshëm.
“Nëse pranojmë gjithçka që është në protokoll, atëherë nuk e di se cilat do të jenë qëndrimet dhe cili do të jetë reagimi i qytetarëve. Sepse reagimi i qytetarëve për një mënyrë të tillë të zhvillimit të negociatave ishte një mesazh i qartë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ajo që duhet të bëjmë është që të përkushtohemi çdo ditë për të punuar në zbatimin e reformave, sepse vetëm në këtë mënyrë japim një sinjal të qartë se jemi seriozisht të interesuar dhe të këmbëngulim gjithë kohën për gjetjen e zgjidhjes që ta shfrytëzojmë momentin. E shohim se sa shpejt po ecën Shqipëria ajo që po ndodh me Shqipërinë në vendin tonë mund të jetë edhe tre herë më e shpejtë se sa dinamika e ecjes përpara”, theksoi ministri për Cështje Evropiane.
Ibraimi: Mickoski nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të zbutur armiqësitë me Bullgarinë
Se pse mbetet e bllokuar RMV për të hapur kapitujt me BE-në, ka sqaruar në kolumnën e tij të fundit për Portalb.mk, njohësi i çështjeve politike Selim Ibraimi.
“Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar për të hapur kapitujt me BE-në, jo vetëm për shkak të kërkesave të Sofjes, por edhe për shkak të inatit të Shkupit zyrtar. Ndërsa BE-ja ka ndarë 6 miliardë euro për të mbështetur integrimin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit, qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski si duket mbështetet në retorikë dhe mosveprim. Zgjidhja e mosmarrëveshjes me Bullgarinë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe diplomacisë aktive është çelësi për hapjen e dyerve të BE-së”, shkruan Selimi.
Sipas Ibraimit, për shkak të mungesës së angazhimit të drejtpërdrejtë me qeverinë në Sofje, qeveria në krye me Hristijan Mickoskin, nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të zbutur armiqësitë me Bullgarinë.
“Disa qëndrime politike të shprehura në korrik të vitit 2024 në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe paqëndrueshmërinë në Bullgari janë tregues i diplomacisë së ngecur. Qëndrimi publik dhe diplomatik tregon një strategji vonese dhe rezistence”.
Në aspektin e aspiratës për anëtarësim në BE, shkruan tutje Ibraimi, veprimet tregojnë se çështjet janë drejtuar në drejtim të gabuar.
“Ajo çfarë duhet të ndërmarrë qeveria në Shkup, është kreativiteti diplomatik duke propozuar zgjidhje të pranueshme si krijimi i një komisioni të ri të jashtëm për sa u përket çështjeve historike dhe identitare. Këtu duhet të shihen disa qasje të ndryshme për të ruajtur identitetin dhe ecur përpara në BE. Nëse jo, status quo-ja do të çojë në pazare të ndryshme pa rezultate. Për të parandaluar rrëshqitjen drejt humnerës, qeveria në Shkup qoftë me ndihmën e BE-së dhe SHBA-së do të duhej të provonte se është e përkushtuar në vepër për hekurudhën që lidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë. Akuzat Shkup- Sofje rreth Korridorit-8 tregojnë se njëra prej palëve nuk po tregohet e sinqertë. Që të jemi të qartë, të gjitha partitë në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, kanë luajtur politikë me emocione”, nënvizoi Selimi.
Kujtojmë se, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet është betonuar qëndrimi i tyre se pa garanca se ndryshimet kushtetuese do jenë pengesa e fundit drejt BE-së, Maqedonia e Veriut nuk do e ndërmerrë asnjë hap në rrugën drejt BE-së. Së fundmi argument shtesë në këtë drejtim qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut i ka dhënë vet shefi i ri i Diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, i cili tha se “regjistrimi i bullgarëve si popull shtetformues nuk është kushti i vetëm”.
Nga ana tjetër për mos t’u mbajtur mend si histori e trishtueshme, BE mbetet decide se, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së dhe se shtimi i bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë është për të mirën e vendit. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
- LEXO: Ministria e Jashtme e Bullgarisë: Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm ndaj RMV-së
- LEXO: Kos: Askush nuk mund të garantojë se edhe pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë pengesa për RMV-në drejt BE-së
- LEXO: Edhe pse Maqedonia e Veriut ka disa kushte në rrugën drejt BE-së, zyrtarët thonë se nuk po e kushtëzon BE-në